Shqipëria

Sadushi: S’duam lëmoshë, të plotësohen detyrimet për gjyqësorin


“10 maji shënon një datë të rëndësishme për gjyqësorin shqiptar. E njohim si “Dita e Drejtësisë”, por në fakt është e lidhur ngushtësisht me krijimin për herë të parë të Gjykatës së Lartë”.

Kështu e nis fjalën e tij Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi të premten e 10 majit.

Ai bën me dije se sot, “në këtë takim mes gjyqtarëve, fokusi do të jetë në dy çështje kryesore: marrëdhëniet mes gjykatave dhe organeve të qeverisjes së sistemit dhe kontrolli rishikues i vendimeve gjyqësore”.

Sadushi ravijëzon se “tri janë drejtimet kryesore, që evidentojnë mirë apo keq administrimin e drejtësisë”.

Së pari, bën me dije ai “gjykatat kanë mangësi të theksuara në infrastrukturë, që evidentohet me: godina të amortizuara dhe me kufizime të ndjeshme të hapësirës së duhur për punë, zyra të pamjaftueshme dhe më e rënda, në disa gjykata, pa salla gjykimi, ku seancat gjyqësore zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve dhe pa regjistrimin e procesit në audio,  një sistem elektronik, pothuajse anakronik, që nuk siguron informacion menaxherial, por vetëm informacion të kufizuar statistikor mbi numrin e çështjeve të regjistruara e të përfunduara”.

Së dyti, sipas tij “Gjykata ka mungesa të ndjeshme në burime njerëzore, kryesisht në këshilltarë/ndihmës ligjorë, sekretarë gjyqësorë dhe stafin ndihmës administrativ”.

“Menaxhimi i burimeve njerëzore nuk duhet parë si një rol administrativ, por si rol strategjik e thelbësor për suksesin e gjyqësorit.  Mungon një strategji e qartë se si mund të realizohet përmbushja e këtij detyrimi nga KLGJ, kur pengesat për të shtuar numrin e ndihmësve ligjorë, sekretareve gjyqësore apo të stafit administrativ rezultojnë të jenë sa ligjore, aq edhe financiare e strukturore, sidomos kur planifikohet buxheti dhe nuk parashikohet dhe as insistohet te ekzekutivi dhe legjislativi për nevojën e rritjes së numrit të punonjësve në gjykata”.

Së treti, përsiat Sadushi “mbetet ende shqetësim trajtimi i buxhetit financiar që Kuvendi i akordon Gjykatës së Lartë dhe të gjithë gjykatave, nëpërmjet KLGJ, e cila nuk duket se e ka kuptuar drejt pavarësinë buxhetore të gjyqësorit”.

“Në disa raste janë vënë re prirje për të konfonduar mbikëqyrjen administrative me mbikëqyrjen gjyqësore. KLGJ sipas kushtetutës është organ administrativ, ndërsa Gjykata e Lartë dhe të gjitha gjykatat janë organ gjyqësor. I pari është krijuar për të lehtësuar punën dhe mirëfunksionimin e të dytit, i cili duhet të fokusohet tek dhënia e drejtësisë. Një pjesë e madhe e kohës dhe energjisë së gjykatave shpenzohet me komunikime të përsëritura për çështje të buxhetit, gjë e cila jo vetëm është konsumim i kohës, por mbi të gjitha nuk pajtohet me kulturën institucionale në një shtet demokratik”.

Në takim me gjyqtarët, Sadushi u rikujtoi anëtarëve të KLGJ se janë zgjedhur për të ushtruar këtë detyrë me funksion të plotë dhe tha se duhet të rrisin tempin e punës.

Sadushi ‘tregoi edhe anën tjetër të medaljes’, kur tha se gjyqtarët nëpër gjykata të tjerat përballen me një fluks pune dhe kanë humbur edhe nocionin e ditëve si edhe të pushimit javor.

“Anëtarët e KLGJ, të cilëve duhet tu rikujtojmë se janë zgjedhur për të ushtruar këtë funksion me kohë të plotë, duhet të rritin maksimalisht tempin e punës, ashtu si kolegët e tyre gjyqtarë, që për shkak të mbingarkesës kanë humbur nocionin e ditëve të pushimit ditor e javor. Nevojat që ka sistemi i drejtësisë nuk janë vetëm të gjyqtarëve, por ato shkojnë në drejtim të shërbimit që u jepet qytetarëve”.

Më tej, Sadushi kërkoi nga KLGJ që të adresojë me forcë te qeveria dhe parlamenti nevojat imediate të sistemit gjyqësor.

”Ky forum mes gjyqtarësh është vendi më i përshtatshëm për t’u shprehur dhe për të nxitur KLGJ për të adresuar me forcë tek qeveria dhe parlamenti nevojat imediate të sistemit gjyqësor. Askush më mirë se gjyqtarët nuk i di problemet e gjyqësorit, askush më mirë se gjyqtarët nuk e kupton dhe ndjen peshën e padrejtësisë, cenimin e pavarësisë dhe presionin për shkak të saj. Ne jemi ata që duhet ta bëjmë sistemin gjyqësor të besueshëm, profesional dhe me integritet”, vijoi Sadushi.

Me kritika ka folur për hartën e re gjyqësore, ndërsa u ndal gjatë edhe në funksionimin e Gjykatës së Apelit të Përgjithshëm (1 Apel në gjithë vendin pas hartës së re gjyqësore).

Sadushi tha Apeli i Përgjithshëm u krijua me një organikë prej 78 gjyqtarësh, ndërkohë që rezulton me vetëm 26 gjyqtarë, ose 30% e kapacitetit. Sadushi shtoi se sallat dhe zyrtar në Apel nuk mjaftojnë as për 30 gjyqtarë.

Ndërkohë, ai shtoi se stoku prej 60 mijë dosjesh rrezikon që të çojë drejt kolapsit sistemin e drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore