Lajme

“Der Spiegel”: BND-ja ka provat mbi vrasjet në Bucha


Në një artikull të publikuar nga e përditshmja gjermane “Der Spiegel” shkruhet se inteligjenca gjermane zotëron prova konkrete mbi vrasjet e kryera nga forcat ruse në Bucha.

Bëhet fjalë për disa përgjime, diskutime në valë radio, sa u përket planeve që po kryheshin për ekzekutimin e civilëve ukrainas.

Shërbimet inteligjente të huaja gjermane (BND) kanë marrë insajte të reja, sa i përket asaj që cilësohet si masakër në qytetin periferik të Kievit.

Deri tani, aty janë gjetur 410 civilë të vrarë, të dergjur rrugëve të Bucha-s, ose të groposur në varre masive.

“Der Spiegel” ka mësuar se BND-ja ka qenë organi, i cili ka kryer përgjimin e diskutimeve.

Disa prej zërave që dëgjohen në materialin e regjistruar, po sipas medias gjermane, lidhen drejtpërdrejtë me imazhet e fotografive të para të ardhura nga Bucha, ku shihen të pajetë dhjetëra persona në rrugë.

Pas largimit të forcave ruse nga rrethinat e Kievit gjatë fundjavës së shkuar, një varr masiv me rreth 200 persona u zbulua në Bucha.

Menjëherë ndaj palës ruse u ngritën akuza të shumta për krime lufte, madje edhe deri tek emërtimi “gjenocid”, i cili u përdor nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Këto akuza nga Moska u hodhën poshtë menjëherë, duke dalë me pretendimet se është pala ukrainase, ajo e cila i ka inskenuar të gjitha ato skena dhe janë pjesë e propagandës së Kievit kundrejt Rusisë.

Në përgjime del në pah edhe fakti se pjesëtarë të grupimit Wagner apo ushtarë të ardhur nga Siria, mund të kenë qenë pjesë e sulmit. Këtu përfshihen edhe luftëtarët e Ramzan Kadyrovit nga Çeçenia.

Gjithsesi, nëse vërtetohen përgjimet e BND-së dhe faktohen në gjykatë më pas, për Moskën nuk do të ketë më justifikime mbi çështjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore