Gjykata Speciale

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, dëshmitare në gjyqin kundër komandant “Ujkut” në Hagë


Time Kadrijaj

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, do të dëshmojë në procesin gjyqësor ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, gjërësisht i njohur me nofkën komandant “Ujku”, i cili po akuzohet për krime të pretenduara lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të Holandës.

Gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtja e ekipit mbrojtës të Shalës, ajo është pyetur edhe për disa persona, duke përfshirë kryetarin e AAK-së dhe ish-komandantin e UÇK-së, Ramush Haradinaj, për të cilin ka thënë se ka qenë ushtar i dalluar në luftë dhe se nuk ka qenë kurrë në Shqipëri.

Ajo është pyetur edhe për ish-deputeten kosovare, Safete Hadergjonaj dhe ish-luftëtarët e UÇK-së, Daut e Agron Haradinaj dhe Shaip Musaj. Kadrijaj ka thënë se ajo ka qëndruar në fshatin e saj të lindjes dhe se ka shërbyer aty, derisa ka shtuar se në Koshare ka filluar dhe përfunduar misionin e saj.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka ngritur katër akuza për krime lufte ndaj Shalës, përfshirë akuza për torturë dhe vrasje. ZPS-ja ka pretenduar se Shala ka qenë pjesë e një “grupi kriminal” që ka arrestuar dhe ka keqtrajtuar të paktën 18 persona, të cilët konsideroheshin kolaboracionistë.

Shala, i cili akuzohet nga ZPS-ja për drejtimin e një burgu të improvizuar në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë, ku edhe supozohet se janë keqtrajtuar njerëz dhe një prej tyre është vrarë, në nisje të gjykimit në Hagë (21 shkurt), ka thënë se të gjitha akuzat ndaj tij janë të fabrikuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore