Gjykata Speciale

Vazhdon gjyqi ndaj Thaçit dhe të tjerëve


Hashim Thaçi

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të dalin përsëri para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës, ndërsa gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, do të vazhdojë këtë të hënë (sot, 27 maj).

Gjyqi në rastin e katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së pritet të nisë sot në orën 09:00, ndërsa seancë do të ketë edhe të martën, të mërkurën dhe të enjten (28, 29 dhe 30 maj), duke përmbyllur seancat gjyqësore për muajin maj – në qershor pritet të mbahen tetë seanca.

E nga mbi 300 dëshmitarë, deri më tash janë dëgjuar 66 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa këtë të hënë pritet të vazhdojë dëgjimi i dëshmitarit të 67-të.

Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999. Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore