Gjykata Speciale

Prapë seancë e mbyllur në Speciale, dëshmon dëshmitari i 67-të


Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dëshmitari i 67-të, ka nisur dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), por që i njëjti do të dëshmojë në seancë të mbyllur, ngjashëm sikurse dy dëshmitarët paraprak ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Christopher Bennett për Albanian Post.

“Dëshmitari i parë që do të dëshmojë nesër (e hënë) do të ketë masa mbrojtëse dhe shumica e dëshmive do të jenë private”, ka thënë Bennett për AP.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka dorëzuar një parashtrim përmes të cilit ka njoftuar panelin e trupit gjykues në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nuk do të mbështetet në dëshminë e 10 dëshmitarëve.

Në Speciale, të martën kishin nisur dëshminë dy dëshmitarë, njëri që ka qenë Oficer i ushtrisë Federale të Gjermanisë, Dietrich Klaus Jensch, teksa të mëkurën kishte dëshmuar dëshmitari i 54-të, Johan Fritsch.

Prej mbi 300 dëshmitarëve në total, deri tani janë dëgjuar 66 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura.

Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999.

Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore