Lajme

Cili do të jetë mandati i Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë?


Ilustrim

Të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme, shkruan REL.

Përveç tyre, verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

E gjithë kjo mund të fillojë të bëhet nëse themelohet Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Për krijimin e kësaj byroje, nevojitet miratimi i ligjit për krijimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Një ligj të tillë, Qeveria e Kosovës e ka miratuar në dhjetor të vitit 2021. Në muajin shkurt të këtij viti, ndërkaq është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë kanë konfirmuar se projektligji është dërguar në Komisionin e Venecias për opinion.

Komisioni Evropian për Demokraci Nëpërmjet Ligjit, i njohur si Komisioni i Venecias, është një organ këshillues dhe jo obligativ mbi çështjet kushtetuese.

Në Kosovë që nga viti 2018, ekziston Ligji për kompetencat e zgjeruara për të konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale.

Koncept-dokumenti parasheh që hetimi për pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme, e cila nuk mund të justifikohet, të bëhet për 21 vjetët e fundit.

Një kopje të këtij koncept dokumentit për çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme e ka siguruar Albanian Post.

Në këtë dokument parmendën pesë fazat e procesit të konfiskimit ashtu siç janë të përcaktuara në Dokumentin e Punës të Komisionit Evropian të vitit 2012. Fillimisht synohet identifikimi përmes hetimeve financiare që ndihmojnë në përcaktimin e pasurive që potencialisht kanë origjinë të paligjshme.

Ruajta dhe ngrirja apo sekuestrimi i pasurisë përmes kërkesës, mjeteve juridike dhe një urdhri gjyqësor.

Më pas konfiskimi përfundimtar përmes një vendim gjyqësor. Pika e katërt është përmbarimi – zbatimi i urdhrit proceduar për kalimin e pasurisë ligjërisht tek autoritetet.

Dhe pika e fundit është rishpërndarja, kush dhe si administrojnë pasurinë, rastet kur mbahet pasuria e kur duhet shitur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore