Kosova

Si planifikohet konfiskimi i pasurisë së paligjshme? – Albanian Post siguron draft-dokumentin e plotë


Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se është finalizuar dhe proceduar në Qeveri koncept-dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Koncept-dokumenti parasheh që hetimi për pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme, e cila nuk mund të justifikohet, të bëhet për 21 vjetët e fundit.

Një kopje të këtij koncept dokumentit për çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme e ka siguruar Albanian Post.

Në këtë dokument parmendën pesë fazat e procesit të konfiskimit ashtu siç janë të përcaktuara në Dokumentin e Punës të Komisionit Evropian të vitit 2012.

Fillimisht synohet identifikimi përmes hetimeve financiare që ndihmojnë në përcaktimin e pasurive që potencialisht kanë origjinë të paligjshme.

Ruajta dhe ngrirja apo sekuestrimi i pasurisë përmes kërkesës, mjeteve juridike dhe një urdhri gjyqësor.

Më pas konfiskimi përfundimtar përmes një vendim gjyqësor.

Pika e katërt është përmbarimi – zbatimi i urdhrit proceduar për kalimin e pasurisë ligjërisht tek autoritetet.

Dhe pika e fundit është rishpërndarja, kush dhe si administrojnë pasurinë, rastet kur mbahet pasuria e kur duhet shitur.

Në këtë koncept dokument specifikohen edhe kushtet për vërtetimin e pasurisë duke u bazuar në katër indikatorë.

– I dyshuari ka sajuar pasurinë në bazë të ndonjë veprimtarie e cila paraqet rrethanë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

– I dyshuari ka transferuar tërë pasurinë e tij apo një pjesë të saj tek personat e tretë pa kompensim apo me kompensim i cili nuk është ekuivalent me vlerën e pasurisë së transferuar.

– Të hyrat legjitime të të dyshuarit kanë qenë të pamjaftueshme për të mundësuar blerjen e pasurisë.

– Nga veprimtaria të cilën e ushtron i dyshuari rezulton mundësia e kryerjes së veprës penale që ndërlidhet me motivin e përfitimit material.

Ministria e Drejtësisë kërkon që Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar në mënyrë të pajustifikueshme të përcaktojë në mënyrë të qartë kategorinë e personave mbi të cilët do të aplikohet.

Ndërkohë administrimi i pasurisë së sekuestruar apo të konfiskuar sipas MD-së bëhet nga ana e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar.

Po ashtu në këtë dokument shkruhet se “ky proces do të përfshijë si pasurinë që nuk është deklaruar fare, ashtu edhe pasurinë që është deklaruar por nuk korrospondon me të ardhurat legjitime. Kjo diskrepancë duhet të ketë vlerë jo më të vogël se 5.000 Euro në mënyrë që të përdoret si indikatorë për inicimin e procedurës së konfiskimit civil”.

“Tutje, ligji duhet të përcaktojë në mënyrë të qartë kategorinë e personave mbi të cilët do të aplikohet. Ky opsion sugjeron që fushëveprimtaria e ligjit të shtrihet mbi zyrtarët e lartë publik dhe anëtarët e tyre të familjes dhe personat e ekspozuar politikisht, anëtarët e tyre të familjes dhe bashkëpunëtorët e ngushtë”, thuhet në koncept-dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Sipas MD-së “opsioni për miratimin e ligjit për konfiskimin civil të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, ka për synim rritjen e përpjekjeve për të dekurajuar në maksimum korrupsionin dhe aktivitetet e tjera kriminale”.

“Me miratimin e një ligji special kemi mundësi që t’u japim organeve ndjekëse dhe atyre gjyqësore, një instrument me të cilin do ta luftojnë krimin përmes sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë dhe të përçojmë mesazhin se krimi nuk paguan dhe se herët apo vonë të gjitha pasuritë e paligjshme do të konfiskohen”.

“Ky opsion jo vetëm do përmirësonte kornizën aktuale ligjore duke lejuar për konfiskim civil por edhe do mundësonte vendosje të fokusit tek konfiskimi i pasurisë përmes caktimit të organeve të specializuara dhe me kompetencë ekskluzive lidhur me konfiskimin e pasurisë të pajustifikueshme. Kjo do mundësonte përshkallëzimin në masë të numrit dhe vlerës së konfiskimeve të pasurisë origjina e të cilave nuk është legjitime dhe e asociuar me krim”, thuhet në dokument.

Sa i përket caktimit të autoritetit kompetent për konfiskim civil, planifikohet krijimi dhe fuqizimi i mekanizmit të ri me ketë kompetencë agjenci ose tjetër e cila do t’i ketë afërsisht 30 të punësuar.

Ndërkohë si problematikë thelbësore është përmendur edhe mungesa e prokurorëve dhe gjyqtarëve të specializuar të cilët merren me rastet e konfiskimit së pasurisë jo.

Se situata aktuale në fushën e konfiskimit të pasurisë me origjinë jo legjitime nuk është e kënaqshme është theksuar edhe në Raportin e Komisionit Evropian për Vendin të vitit 2019.

Në këtë raport, Komisioni Evropian ka nënvizuar se Kosova ka arritur progres shumë të vogël në fushën e konfiskimeve përfundimtare të pasurisë dhe e njëjta duhet të ndërmerr masa për të siguruar në mënyrë rigoroze se nuk ka ndërhyrje politike me aktivitetet operative të organeve të zbatimit të ligjit dhe të prokurorisë.

Nëse nuk mund ta shikoni, kliko KËTU

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore