Euro 2020

Çfarë nuk shkon mes Anglisë dhe Sancho-s?


Është gjithmonë një lojtar më shumë për Anglinë. Në fakt, Anglisë i mungon një “Pirlo” në mesfushë dhe një qendërmbrojtës i klasit botëror, për t’i ndihmuar Tre Luanët në arritjet që kërkojnë. Fakti tjetër është se ata kanë shumë talente në skuadër, megjithatë Jadon Sancho nuk zbret nga pankina.

Sancho është lojtari që ka shpërthyer dy vitet e fundit me Borussia Dortmund-in në Bundesligë. Ai ka shënuar 36 gola dhe ka dhuruar 40 asistime në 82 ndeshje me verdhezinjtë.

21-vjeçari është paraqitur vetëm gjashtë minuta në Euro 2020, në përballjen e fundit të Anglisë në fazën e grupeve kundër Republikës Çeke, të fituar me rezultatin 1-0.

Por, në krahun tjetër “The Athletic” dhe shumica e mediave në Britani dhe Evropë e lidhin atë me një kalim te Manchester United-i për shifrën e 100 milionë eurove, çka do e bënte Sancho-n lojtarin më të shtrenjtë anglez në histori.

Gjithashtu, në sezonin që lamë pas, Sancho la gjurmë me Dortmund-in edhe në finalen e Kupës së Gjermanisë dhe në Ligën e Kampionëve.

Të gjitha këto e kishin bindur opinionin sportiv se Sancho do të ishte një nga yjet e Euro 2020.

Por, çfarë po shkon keq mes Sancho-s dhe Anglisë?

A është shkak dëmtimi? A është arsye disiplinore? Apo çfarë tjetër? Raportime nga Anglia pohojnë se mos-paraqitjet e Sancho-s me kombëtaren vijnë si pasojë e mungesës së besimit nga ana e tranjerit Gareth Southgate-t.

Tekniku i ka dhënë mundësi në të kaluarën Sancho-s dhe paraqitjet e këtij të fundit kanë lënë për të dëshiruar, sidomos ndeshja kundër Belgjikës në Ligën e Kombeve.

Megjithatë, Sancho mbetet një nga talentet më të mëdhenj të Evropës dhe duhet t’i jepet një shans.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore