Shqipëria

“Certifikata e vaksinimit ose test i përjavshëm, detyrim për çdo arsimtar”


“Nga dita e hënë do të hyjë në fuqi udhëzimi për detyrimin e paraqitjes së certifikatës së vaksinimit ose testit të përjavshëm, ndërsa universitetet do të organizojnë mësimin online për studentët e pavaksinuar”.

Kështu është shprehur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, të premten e 24 shtatorit pas një vizite në Qendrën Shëndetësore nr.4, Tiranë.

Ajo ka bërë sërish apel për vaksinimin e mësuesve, pedagogëve dhe studentëve.

Manastirliu shtoi gjithashtu se muaji shtator do të jetë i hapur, për të aksesuar qendrën më të afërt për të bërë vaksinën.

“Ka pasur një interes të shtuar, sidomos këto ditë. Numri i studentëve, që janë paraqitur në qendra dhe universitete për të marrë dozën e vaksinës, është në rritje”.

Sa u përket arsimtarëve, të cilët nuk e kanë kryer vaksinimin, duhet që të paraqesin testin e përjavshëm, që nuk janë të prekur nga COVID.

Nga ana tjetër, sipas saj, ky interesi i shtuar në muajt e hapur të vaksinimit nga personeli i arsimtarëve, e ka çuar në mbi 80% vaksinimin e tyre me një dozë dhe mbi 60% me dy doza, duke paraqitur mbulesë të lartë vaksinale.

Qeveria shqiptare, që prej muajit gusht, ka nisur një fushatë vaksinimi masiv, e cila ka kërkuar detyrimisht edhe furnizim të madh me doza nga katër kompanitë furnitore në Shqipëri.

Shifrat e vaksinave të mbërritura në Shqipëri po i afrohen 2 milionëshit. Ndërkaq, dozat e dhëna  janë rreth 1.54 milionë.

Po ashtu, mbi 700 mijë të tjerë kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-COVID.

Aktualisht, Shqipëria administron mbi 1.9 milionë vaksina. Vaksinat e përdorura janë: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore