Shqipëria

Celibashi: Partitë ti përmbahen angazhimeve dhe parimeve zgjedhore


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka risjellë në vëmendje të subjekteve zgjedhore që t’i përmbahen angazhimeve dhe parimeve të fushatës.

Në deklaratën me gjashtë pika, Celibashi cek disa pre tyre.

“Duhet t’i përmbahen parimeve për të respektuar të drejtat dhe liritë politike të qytetarëve dhe konkurrentëve të tyre. Duhen zbatuar rregullat e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor dhe aktet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të mos përdorur burimet publike për qëllime elektorale”.

Ndër pikat e tjera, përmendet mospërfshirja në praktika kërcënuese ose penguese për të mos lejuar të drejtën e votës. Refuzimi i marrjes pjesë në blerjen ose shitjen direkte të saj, gjithashtu.

Apel ka pasur edhe për sa i përket donacioneve, të cilat duhet të deklarohen menjëherë pas marrjes dhe respektimin e dispozitave të Kodit Zgjedhor për afishimin e materialeve propagandistike.

Celibashi i ka bërë gjithashtu thirrje qytetarëve që të angazhohen aktivisht në fushatë. “Zgjedhësit të përfshihen aktivisht në raportimin dhe denoncimin e rasteve korruptive të shitblerjes së votës dhe financimit të paligjshëm”, nënvizon ai.

Sipas kryekomisionerit, mbarëvajtja e procesit varet më së shumti nga komisionarët zgjedhorë të të gjitha niveleve.

Monitorimi i medias fillon gjithashtu sot. Ky monitorim do të kryhet nga Autoriteti i Mediave Audiovizive. Metodologjia e monitorimit është e miratuar.

Fushata do të zgjasë 30 ditë, deri në 24 orët përpara zgjedhjeve të 25 prillit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore