Lajme

Botsan-Kharchenko: Kosova po bën gjithçka për të marrë nën kontroll veriun – çështja duhet të zgjidhet në interes të Serbisë


Aleksandër Botsan-Kharchenko

Ambasadori i Rusisë, Aleksandër Botsan-Kharchenko, duke komentuar mbi ecurinë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën patronazhin e Bashkimit Evropian (BE), konsideroi se procesi i dialogut “mund dhe duhet” të finalizohet në interes të Serbisë, derisa shtoi se zhvillimet gjeopolitike do të mundësojnë zgjidhjen e konflikteve.

“Situata e krijuar rishtazi në botë do të mundësojë zgjidhjen e shumë konflikteve të vjetra, përfshirë edhe çështjen e Kosovës. Çështja e Kosovës mund dhe duhet të zgjidhet para së gjithash në interes të Serbisë, sepse Kosova është pjesë e Serbisë”, deklaroi ambasadori rus, transmeton “Kosovo-Online” të enjten – një ndër portalet e rralla në gjuhën serbe në Kosovë.

Duke folur për situatën politike në Serbi, protestat masive të opozitës së bashkuar rreth koalicionit “Serbia kundër dhunës (SPN)” dhe zgjedhjet e fundit atje, diplomati rus theksoi se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, aktualisht është një prej arsyeve kryesore pse bashkësia e organizuar perëndimore mbështet protestat e opozitës në kryeqytetin serb.

“Qëllimi i këtyre protestave është ndër të tjera që të ndryshojë politikën e lidershipit serb për çështjen e Kosovës. Perëndimi dëshiron që Serbia fillimisht de fakto dhe më pas de jure ta njohë Kosovën”, vlerësoi ambasadori rus, derisa shtoi se procesi i dialogut Prishtinë-Beograd do të përparonte nëse do të negociohej nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Natyrisht, meqenëse ekziston rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, negociatat duhet të zhvillohen nën kujdesin ose në kuadër të OKB-së me pjesëmarrjen e anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Ky është një format natyror”, konsideroi Botsan-Kharchenko, derisa ka përmendur edhe zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Rusia është fuqia e vetme botërore që përsërit rregullisht gatishmërinë e saj për t’i ofruar Serbisë “garanci” se Kosova nuk do të fitojë njohje të plotë ndërkombëtare. Rusa promovon fushatën propagandistike duke forcuar lidhjen tradicionale midis dy vendeve dhe duke e pozicionuar Rusinë si “mbrojtëse” të Serbisë përmes diskreditimit të BE-në dhe NATO-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore