Lajme

Biznesmeni rus pranon pronësinë e “pallatit mbretëror”


Arkady Rotenberg dhe Vladimir Putin

Biznesmeni rus, Arkady Rotenberg, tha të shtunën se ai është pronari i “pallatit mbretëror” në gjirin ekskluziv të Gelendzhik-ut, në Detin e Zi.

Kritiku kryesor i Kremlinit, Alexey Navalny, e ka lidhur pronësinë e pallatit me presidentin, Vladimir Putin.

Navalny dhe Fondacioni i tij Anti-korrupsion, publikuan një video në të cilën ata pretendojnë se pallati i përkiste udhëheqësit rus. Videoja është shikuar më shumë se 103 milion herë.

Rotenberg, ish-partneri i Putin-it në sportin e xhudos, tha se ai e ka blerë pallatin para dy vitesh.

“Tani nuk është më sekret, unë jam pronari”, u shpreh Rotenberg, në një video të publikuar në mediat ruse.

“Kishte një strukturë mjaft të komplikuar, kishte shumë kreditorë dhe unë arrita të bëhem pronar”, shtoi ai.

Ai nuk dha detaje të mëtejshme financiare të blerjes ose mënyrës se si ishte financuar i gjithë procesi.

Putin-i tashmë e ka mohuar pronësinë e pallatit.

Rotenberg, ishte në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe fuqive të tjera perëndimore, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në mars të 2014-ës. Aty bënin pjesë zyrtarë të shumtë rusë dhe drejtues biznesesh .

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore