Lajme

Bislimi: Në Bruksel nuk kishte takim trepalësh


Besnik Bislimi, Zëvendëskryeministër i Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se në Bruksel nuk ka pasur takim trepalësh pasi që temë diskutimi ka qenë energjia.

Ai në një konferencë për media ka bërë të ditur se nuk ka pasur kërkesë nga Bashkimi Evropian për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Nuk ka pasur asnjë kërkesë nga Bashkimin Evropian as tani, as në të kaluarën për asociacionin”.

“Nuk ka pasur takim trepalësh për arsye se tema që e kemi diskutuar ka të bëjë me energjinë, dhe tek energjia kemi folur për një marrëveshje të kaluar tek implementimi i marrëveshjeve të kaluara, partner monitorues dhe asistues e kemi Bashkimin Evropian, andaj nuk ka nevojë për takime trelateral”, tha Bislimi.

Besnik Bislimi në Brukseli

Më 23 shkurt, Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, kishte mohuar pretendimet e Kryenegociatorit serb, Petar Petkoviç, se pala kosovare ka refuzuar një takim trepalësh në dialog, dhe se sipas tij takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi ka pasur qëllim përgatitjen e bisedimeve të ardhshëm në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Kam insistuar që të takohem me Petkoviçin. Mirëpo, duket se për këtë nuk ka qenë i interesuar pala serbe, e cila më vonë ka dalë para mediave, duke theksuar se unë e kam refuzuar këtë. Kjo do të konfirmohet nga vetë kabineti i Lajçakut”, kishte thënë Bislimi gazetarëve në Bruksel, raporton Radio Evropa e Lirë në gjuhën boshnjake.

Ndryshe më 23 shkurt, Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se në kuadër të takimi dy-palësh me ndërmjetësin e BE-së, Mirosllav Lajçak dhe zv/kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, njoftoi se temë diskutimi ishin personat e zhdukur me forcë gjatë luftës, si dhe zgjidhja sa më shpejt e kësaj çështje.

Gjithashtu u fol edhe për energjinë në kuadër të marrëveshjeve ekzistuese me Serbinë.

Takimi i së martës që u parapa të zhvillohet në nivel kryenegociatorësh, respektivisht mes zv/kryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi, dhe të ashtuquajturit drejtzor i zyrës “për Kosovën” në Serbi, Petar Petkoviç, dështoi të mbahej.

Në anën tjetër Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Kosova e Serbia janë afër arritjes së një marrëveshjeje në lidhje me disa dokumente.

“Pa 11 orësh negociata intensive dje, jemi afër arritjes së një marrëveshje për disa dokumente. Por shpesh hapi i fundit është më i vështiri. Puna vazhdon”, ka shkruar Lajçak, në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore