Lajme

Bislimi dhe Szunyog nënshkruajnë marrëveshjen për “IPA 2022”


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog të premten e kanë nënshkruar marrëveshjen financiare për programin vjetori IPA 2022.

Pas nënshkrimit zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se Kosova do të përfitojë fonde prej 62 milionë euro, të cilat do t’i dedikohen për fushën e energjisë.

“Brenda një periudhe të shkurtër kjo është marrëveshja e tretë më radhë që po e nënshkruajmë në kuadër të programeve IPA 3. Kanë kaluar vetëm gjashtë muaj nga shtatori i vitit të kaluar ku ka hyrë në fuqi marrëveshja kornizë për IPA 3 që i mundëson krijimin e kornizës së përgjithshme ligjore për zbatimin e fondeve IPA 3 në Kosovë dhe ne tashmë kemi arritur marrëveshjen financiare për tri vitet e para”, ka thënë Bislimi.

Ai ka theksuar se me këtë marrëveshje do të ofrohet edhe përkrahje për mjedisin.

“Me nënshkrimin e marrëveshjes IPA 2022, Kosova po përfiton 62 milionë euro me të cilat do të zbatohen një sërë projektesh. Sikurse përkrahja për profesionet e lira në Kosovë, përkrahja për mjedisin dhe energjinë e gjelbërta, efiçienca e energjisë etj”.

Ndërsa, ambasadori Szunyog tha se ky financim është “mjet i rëndësishëm i BE-së” qëllimi i të cilit është ta ndihmoj Kosovën në zhvillimin e ekonomisë.

“Si dhe të krijojë vende të reja pune si dhe të harmonizojë ligjet dhe standardet e saj me ato të BE-së, të gjitha këto me qëllim për të ndihmuar Kosovën të përparojë në rrugën e saj të integrimit në BE”, tha ai.

Ndër te tjera, theksoi se ky financim tregon edhe dëshirën e BE-së që Kosova të anëtarësohet.

“Financimi IPA është dëshmi e qartë dhe e prekshme se BE-ja dëshiron që Kosova t’i përmbushë të gjitha standardet e nevojshme për t’u anëtarësuar në BE”.

“Përdorimi i financimit të IPA-së është planifikuar me Qeverinë e Kosovës dhe synon fushat prioritare nga sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe arsimi, deri te zhvillimi i infrastrukturës, mbrojtja e mjedisit, tranzicioni i energjisë së gjelbër, dhe lidhjet rrugore, hekurudhore dhe të TI-së”, shtoi ai.

Më 22 maj, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, kishte nënshkruar Marrëveshjen Kornizë të Partneritetit Financiar IPA III, e miratuar nga Komisioni Evropian.

Kosova, filloi të përfitojë nga financimi IPA në vitin 2007, që atëherë, deri në fund të vitit 2022, gjithsej 1.21 miliardë euro i janë ndarë Kosovës, përmes IPA I dhe IPA II.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore