Lajme

Bieber: Pas sulmit terrorist dialogu s’ka të ardhme, Lajçak po ruan status-quon


Florian Bieber

Profesori në Universitetin e Grazit në Austri, Florian Bieber, beson se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të vazhdojë në dinamikën e para 24 shtatorit.

Në një intervistë për mediumin serb, FoNet, studiuesi i Evropës Juglindore, thotë se sulmi terrorist në Banjë të Zveçanit ka shpërfaqur faktin se i deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, nuk është në gjendje të shpëtojë procesin dialogues, proces ky i cili, sipas tij, nuk ka më një të ardhme.

“Edhe pse zyrtarët evropian po u bëjnë thirrje palëve që t’i kthehen dialogut, unë nuk e shoh të ketë të ardhme ky proces”, pohon Bieber.

Biber thekson se në këtë fazë Kosova dhe Serbia duhet të obligohen që përmes nënshkrimit të një dokumenti t’i plotësojnë premtimet që i kanë marrë nga dialogu brenda afateve të caktuara, e jo ta kalojnë topin te njëri-tjetri duke krijuar hapësirë për keqkuptime të reja dhe përshkallëzim.

Profesori austriak duke komentuar situatën e tensionuar në mes të Kosovës dhe Serbisë për vite të tëra thekson se Kurti e ka humbur rastin të “shtrijë dorën serbëve në Kosovës” duke mos i marrë seriozisht si aktor politik.

“Lista Serbe nuk është një organizatë politike që vepron në mënyrë të pavarur nga Beogradi, gjë që nuk është e lehtë për Kurtin, por megjithatë ai e humbi mundësinë për të hapur komunikimin me serbët në Veri, gjë që hapi derën për përshkallëzim”, saktësoi ai.

Sipas tij të dyja palët janë fajtorë për përshkallëzimin dhe mungesën e komunikimit.

“Përshtypja është se serbët nga Kosova nuk janë mjaftueshëm të përfshirë në proces, zëri i tyre mezi dëgjohet dhe shqetësimet e tyre nuk merren parasysh as në Serbi dhe as në Kosovë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore