Shqipëria

Berisha paralajmëron protesta: Nga Policia e Shtetit te sistemi i drejtësisë, akuzat e ish-kryeministrit për qeverinë


Kryetari i sapozgjedhur i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat, ka paralajmëruar protesta për ngjarjet e fundit të ndodhura në kryeqytet.

Njëra ka të bëjë me vrasjen e efektivit të Policisë në Komisariatin nr. 3 Tiranë nga kolegu dhe tjetra me plagosjen e një personi nga një oficer i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Sipas tij, këto janë të lidhura me përdorimin e drogës dhe akuzat i hodhi te kryeministri Edi Rama.

“Droga është bërë një normë në polici dhe Edi Rama ka urdhëruar ndalimin e testit të drogës – gjëja më absurde dhe kriminale. Dy vrasjet janë të lidhura me drogën”, tha Berisha.

Ndër të tjera, Berisha u ndal dhe te dëshmia e të arrestuarit Nuredin Dumani, i akuzuar për një sërë vrasjesh të ndodhura ndër vite në Shqipëri.

Ish-kryeministri ka falënderuar Dumanin për rrëfimet, duke kërkuar nga ai të nxjerrë çdo të vërtetë për të treguar fytyrën e qeverisë.

Bandat e Elbasanit kanë qenë fund e krye të lidhura me qeverinë. Ata kanë pasur Prokurorinë e Elbasanit, por edhe ministra”, vijoi Berisha duke hedhur akuza.

Ndërsa kreu i PD-së ritheksoi se sistemi i drejtësisë “është i kapur” nga Kryeministri.

“Edi Rama përvetëson pronat e shqiptarëve përmes vendimeve të Gjykatave dhe ushtarëve të tij në administratë”, u shpreh ai.

Duke përmendur vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave në lidhje me rekurset në Gjykatën Administrave, të cilat do të hiqen, Berisha e quajti si anti-kushtetues.

“Në mungesë të plotë transparence pa asnjë analizë të plotë të rasteve, por dhe dëmit që mund t’i shkaktohet shtetit në shkelje të plotë të Kushtetutës, Këshilli i Ministrave vendos që për të gjitha institucionet në varësi të saj të hiqet dorë nga rekurset në Gjykatën e Lartë për çështjet me natyrë administrative apo civile”, ravijëzoi Berisha.

Sipas Berishës, Gjykata e Lartë po lihet me qëllim pa gjykatës dhe po funksionon me mungesë dhe mijëra çështje të lëna pezull.

“Gjykata e Lartë po cenon rëndë procesin e rregullt ligjor, duke shkelur parimin e sigurisë juridike”, tha Berisha.

Ky i fundit nuk ka lënë pa përmendur dhe ish-sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi.

Berisha e ka akuzuar Bardhin për vrasjen e ndodhur në Elbasan, gjatë fushtës për zgjedhjet parlamentare, më 21 prill të një viti më parë.

”Gazment Bardhi lufton për të shpëtuar shpirtin e tij. Unë e kuptoj luftën që bënë për të shpëtuar shpirtin, por është i pashpresë. Të zbardhë njëherë, të mos i thurë lavde SPAK-ut, po të zbardhë pak rolin e tij në vrasjen në Elbasan”.

Kujtojmë se në Elbasan u qëllua për vdekje Pjerin Xhuvani – aktivist i Partisë Socialiste dhe ish-drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Elbasanit – dhe katër të tjerë u plagosën, vetëm katër ditë përpara zgjedhjeve.

E vdekur mbeti edhe efektivja e Forcave Speciale Shqiponja, Xhensila Sota.

Ndërkaq asokohe Bardhi ishte drejtuesi politik i PD-së për qarkun e Elbasanit.

Nga ana tjetër Berisha ka akuzuar si Bardhin ashtu edhe Taulant Ballën – drejtuesi politik i PS-së për Qarkun e Elbasanit.

“Bardhi dhe Balla janë përgjegjës direkt politik për atë gjakderdhje në një lagje që mund të mos ketë pasur gjakderdhje ndonjëherë”, e përmbylli Berisha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore