Shqipëria

Veliu konfirmon akuzat mbi ngjarjen në Elbasan, nuk ka materiale zgjedhore në sekuestro


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka dalë në një konferencë për shtyp nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, ku ka komunikuar konfirmimin e akuzave për personat e përfshirë në vrasjen e ndodhur në Elbasan më 21 prill.

Veliu ka konfirmuar akuzën për autorin e krimit, Arbër Paplekaj, i cili vrau Pjerin Xhuvanin, ish-drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan.

Për Paplekajn, është konfirmuar akuza për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”.

Të akuzuar të tjerë për veprën “Heqja e paligjshme e lirisë së personit e kryer me dhunë” në bashkëpunim, janë nëntë persona të tjerë: Arjan Hoxha, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa, Nuredin Kasma.

Në kërkim ndërkohë, është shpallur edhe Klement Xhaferri, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë”.

Në flagrancë, është arrestuar edhe shtetasi Eldjo Beko, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Prokurori Alfred Shehu, ka theksuar faktin se brenda mjeteve të sekuestruara, nuk janë gjetur materiale zgjedhore.

Dinamika e ngjarjes

Veliu ka sqaruar gjithashtu gjithë dinamikën e ngjarjes.

Rreth orës 14:00 të datës 21 prill, në policinë e Elbasanit ka mbërritur një njoftim, nga shtetasi Arjan Hoxha. Ky i fundit, është prezantuar si përgjegjës i sigurisë për shtabin elektoral të Partisë Demokratike, për qarkun Elbasan.

Njoftimi ka qenë se në rrugën “Lef Nosi”, kishte një incident me disa persona.

Në vendngjarje, është dërguar një njësi e forcave të posaçme “Shqiponja”.

Pas bisedës me Hoxhën, është shfaqur pretendimi i kësaj pale, se aty po kryhej vepra penale e shit-blerjes së votës.

Grupi që shoqëronte Hoxhën, është po ai grup për të cilin janë ngritur akuzat. Ata, në drejtimin e tre fugonëve, kanë bllokuar qarkullimin e mjeti Mercedez, tip ML, të drejtuar nga shtetasi M.G.

Fugonët e Partisë Demokratike, të përfshirë në incidentin e 21 prillit në Elbasan
Mjeti tip Mercedes benz ML, i përfshirë në ngjarjen e djeshme në Elbasan

Shtetasit e lartpërmendur, kanë deklaruar se kanë qenë vullnetarë të mbrojtjes së votës së Partisë Demokratike. Ata qarkullonin me tre fugonët e bardhë me logon e PD-së.

Fugonët e Partisë Demokratike, të përfshirë në incidentin e 21 prillit në Elbasan
Përshkallëzimi i konfliktit

Pas mbërritjes së Policisë, bëhet me dije se konflikti ka përshkallëzuar. Aty janë përdorur armpt, duke lënë të vdekur shtetasin Pjerin Xhuvani. Të plagosur, kanë qenë shtetasit Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe një punonjëse e forcës së posaçme Shqiponja, Xh.S..

Të plagosurit kanë marrë trajtimin e parë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën sipas burimeve të Albanian Post.

Pas këqyrjes të vendit të ngjarjes, policia ka marrë nën sekuestro në cilësinë e provës materiale, 20 gëzhoja të kalibrave 9 dhe 11.1 milimetra. Katër predha janë sekuestruar, tre fugonët me logon e PD-së, automjeti tip ML pa targa dhe një automjet tjetër tip Benz.

11 telefona celularë janë sekuestruar po ashtu.

Në cilësinë e provës materiale, është sekuestruar edhe një pistoletë tip Glock, në pronësi të autorit Arbër Paplekaj.

Një grup i posaçëm hetimor ndërkaq, vijon me hetimet intensive. Veliu ka deklaruar se Policia e Shtetit, do të vijojë me forcën e ligjit, për të mbajtur nën kontroll të plotë territorin.

Një thirrje u bë gjithashtu, se i vetmi organ që kontrollon krimet e votës, është Policia e Shtetit. Subjekteve u është bërë thirrje të mos angazhohen me ekipe të veçanta, si në rastin e Elbasanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore