Shqipëria

Manja: Nuk ka më rekurse për disa çështje administrative


Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka deklaruar se Këshilli i Ministrave ka përcaktuar rregullat e reja për heqjen dorë nga rekurset për disa çështje administrative.

Ky projekt-udhëzim u është dërguar ministrive përkatëse dhe institucioneve në varësi të tyre, për heqjen dorë nga rekurset për ankimimin e vendimeve të Gjykatave të Apelit dhe asaj Administrative.

Vendimi erdhi pas kërkesës së Gjykatës së Lartë që institucionet publike të mos bëjnë më rekurse pranë saj.

Bëhet fjalë për çështje, të cilat nuk kanë interes publik, apo lidhje me aktualitetin.

Më herët, Gjykata e Lartë ka deklaruar se, me qëllim lehtësimin e shqyrtimit të çështjeve duhet miratuar kjo masë.

Sipas saj, Gjykata për periudhën 2013-2020, në fushën administrative ka regjistruar 3 mijë e 82 çështje, ndërsa në fushën civile janë 2 mijë e 322.

Kështu që kërkohet të mos bëhet rekurs për çështje, si: zgjidhja e mosmarrëveshjeve që lindin nga marrëdhëniet e punës, në të cilat ministritë e linjës apo institucionet në varësi të tyre shfaqen në cilësinë e punëdhënësit, ose kur vlera e padisë është më e vogël se dyzetfishti i pagës minimale.

Pra, duke iu referuar pagës minimale, proceset gjyqësore duhet të vazhdojnë në Gjykatën e Lartë, kur vlera shkon në 1 milionë e 600 mijë lekë.

Këshilli i Ministrave ka propozuar gjithashtu që institucionet të mos bëjnë rekurs kur punonjësi i administratës ka marrë dëmshpërblimin monetar me vendim të Apelit.

“Propozohet që, me heqjen në fuqi të këtij vendimi, institucionet, të cilat janë në proces në Gjykatë të Lartë, të heqin dorë me anë të një kërkesë me shkrim, në përputhje të rregullave të përcaktuara në legjislacionin procedural civil dhe atë administrativ”, finalizohet projekt-udhëzimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore