Shqipëria

Dëshmia e Dumanit për ngjarjet kriminale: Elvis Dedaj u vra nga ‘miku i tij’ Festim Qoli


Nuredin Dumani ka dëshmuar mbi një sërë ngjarjesh kriminale të ndodhura ndër vite në Shqipëri, duke hedhur dritë kështu në zbardhjen e detajeve për vrasjet e ndryshme.

Dumani përpara hetuesve ka treguar detaje nga vrasja e Elvis Dedajt – më 5 qershor të vitit 2012 te Shkëmbi i Kavajës – dhe nënës së tij. Kjo e fundit e vrarë nga Talo Çela, sipas dëshmisë së Dumanit.

Historia e Dedajt ka nisur pas një bashkëpunimi me Festim Qolin për blerjen e një karburanti “Clasik” në lagjen 14 Durrës. Qoli zotëronte 49% të aksioneve ndërsa nëna e Dedajt, Fatmira Habili 51%.

Qoli dhe Dedaj kanë pasur prona të përbashkëta, por në vitet 2011-2012 kanë nisur dhe konfliktet për ndarjen e pronave në Shkëmbin e Kavajës.

Sakaq Dedaj nuk ka lëvizur asnjëherë pa një pistoletë me një fishek në fole.

Ndërkohë më 5 qershor të vitit 2012 është përgatitur dhe atentati ndaj Dedajs, i cili ishte nisur nga Durrësi në drejtim të Tiranës me të fejuarën e tij. Më vonë ai ka shkuar drejt Shkëmbit të Kavajës dhe në rrugën dytësore Golem-Plepa, ka parkuar makinën pranë një karburanti dhe ka lëvizur në këmbë.

Pak minuta më vonë ai është kthyer në makinë dhe pasi ka ecur rreth 80 metra i është bërë pritë nga dy persona.

Screenshot 4

Në trupin e viktimës u konstatuan gjashtë plagë me armë zjarri, vetëm me vrima hyrje si dhe një plagë tej shkuese në kokë me mbetje të trupit të huaj nën lëkurën e kokës.

Nga hetimet e grupit hetimor, asokohe ka rezultuar se Qoli gjatë asaj dite ka pasur telefonata të shkurtra. Për rrjedhojë sipas grupit hetimor Qoli ka drejtuar dhe personat për mënyrën se si duhet vepruar para dhe pas vrasjes së Dedajs.

Në vitin 2014 është shoqëruar në polici Qoli – i cili gjatë dy viteve qëndronte i fshehur – si dhe i disa shtetas të tjerë Eduart Serjani, Agim Gjini dhe Briand Muça.

Në dëshminë e tij Qoli ka thënë përpara grupit hetimor se me Dedajn janë njohur rreth viteve 1995-1996 në Milano, Itali. Ndërkohë sipas Qolit deri në vitin 2007 Dedaj ka kryer disa vite burg në Itali dhe disa të tjera në Belgjikë.

Pas kthimit të tij, duke qenë se dhe kontaktet i kishin ruajtur, Qoli i kishte marrë hua Dedajs 70 mijë euro. Duke qenë se ky nuk kishte mundësi t’ia shlyente i kishte dhënë një pjesë të aksioneve te karburanti që zotëronte Qoli, në Shkozet. Sipas Qolit marrëdhënia mes tyre ka ardhur duke u krisur pasi Dedaj i kishte treguar që dëshironte të martohej me një vajze, të cilën Qoli pretendonte ta kishte pasur të dashur para se ta njihte ai.

Ndërkohë Qoli është takuar një ditë përpara se Dedaj të vritej dhe i ishte dukur i shqetësuar. Pas vrasjes së Dedajt Qoli ëhtë fshehur pasi kishte marrë kërcënime nga familjarët e Dedajs.

Dumani 'u preu biletën kokave të mëdha', ja dosja e plotë e gjykatës për ngjarjet më të rënda kriminale - Aktualiteti
Nuredin Dumani

Ndërkohë nëna e Dedajs ka qenë e bindur se djalin e saj e ka vrarë Fatmir Qoli. Sipas nënës këta kishin qenë shokë të ngushtë po dëshira e Dedajs për të ndarë pasuritë dhe bizneset ka qenë shkaku i konfliktit mes tyre.

Ndërkohë nga hetimet ka rezultuar se Qoli gjatë ditës kur është vrarë Dedaj ka komunikuar me dy numra kosovar. Makina që kanë lëvizur autorët e vrasjes së Dedajs ka rezultuar me targa të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë Dumani ka rrëfyer dhe njohjen me Festim Qolin. Ai ka dëshmuar se janë njohur në fund të vitit 2012, në lagjen 14 në Durrës – vend ku banonte Dumani.

Sipas Dumanit Qoli njihej si një person me “reputacion të lartë aty”. Ata janë takuar vazhdimisht në lokalin në pronësi të Qolit, Bar Kafe “Spiranca”.

Fillimisht Dumani ka treguar se ka pasur konflikte me Qolin pasi ky i fundit kishte pasur konflikte me kushërinjtë e Dumanit.

Më pas janë bërë shokë. Qoli i ka rrëfyer Dumanit se për të mbyllur çështjen për të mos dyshuar më te ai për vrasjen e Dedajs kishte dhënë 200 mijë euro.

Më tej Dumani ka deklaruar se Festim Qoli ka qenë ai që e ka vrarë Dedajn. Këtë gjë ia kishte dëshmuar vetë Qoli.

Dumani kështu ka zbardhur detajet e lëvizjes së Qolit ditën e vrasjes.

Festim Qoli dhe Henrik Hoxha kanë qenë dy vrasësit e Dedajs, ka rrëfyer Dumani. Këtë ia kanë pohuar të dy. Festimi ka qenë shofer i automjetit që kanë përdorur për të vrarë Dedajn ndërsa ekzekutori ka qenë Henriku me armë automatike.

“Pasi Elvisi është ngritur nga tavolina ka shkuar në makinë për t’u larguar, në atë moment Festimi me Henrikun kanë qenë duke e pritur. Sapo Elvisi është futur në makinë ka shkuar Henriku dhe e ka qëlluar me armë. Pas ngjarjes janë larguar me makinën Mitsubishi L200, të cilën e kanë djegur në Kodër Arapaj. Nga djegia e makinës Festimi ka djegur vetullat dhe fytyrën”, ka rrëfyer Dumani.

Ndërkohë nëna e Dedajs është vrarë në vitin 2013 në Durrës, nga Talo Çela, sipas dëshmisë së Dumanit.

Kujtojmë se një ditë më parë Prokuroria e Posaçme dhe Policia e Shtetit, ekzekutuan 32 urdhërarreste.

Policia e Shtetit, me urdhër të SPAK-ut, nisi një aksion në disa qytete të vendit. Operacioni i Policisë vijoi në Tiranë, Elbasan, Korçë, Durrës dhe Fier.

Ky aksion ka ardhur pas rrëfimit të Nuredin Dumanit – i arrestuar më 29 mars të këtij viti. Dumani ishte një nga personazhet më të kërkuara të botës së krimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore