Lajme

Mbingarkesa në gjykata, Shqipëria larg normës evropiane


Gjykatat në Republikën e Shqipërisë vijojnë të jenë të mbingarkuara nga akumulimet e dosjeve të mbartura nga vitet e shkuara.

Të paktën në këtë përfundim arrihet në raportin përmbledhës të sistemit gjyqësor për vitin 2023 – hartuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ).

Sipas raportit ngarkesa e punës në gjykata është përballuar nga vetëm 247 gjyqtarë ose 8.94 gjyqtarë për 100 mijë banorë.

Ky raport është 60 % më pak se e normës evropiane (22.2 gjyqtar për 100 mijë banorë).

Rendimenti mesatar i punës për gjyqtar në rang vendi, gjatë vitit 2023, ka qenë pothuajse 566 çështje për gjyqtar, që shënon një rritje me pesë çështje më tepër krahasuar me një vit më parë (561 në 2022).

Më konkretisht, për Gjykatën e Lartë raporti shkruan se e ka filluar vitin 2023 me një total prej 31 mijë 827 çështjesh në pritje të gjykimit.

“Gjatë vitit 2023 në Gjykatën e Lartë janë regjistruar 2 mijë e 145 çështje të reja. Çdo gjyqtar ka mesatarisht 2 mijë e 84 çështje në ngarkim dhe gjatë 2023 ka arritur të gjykojë 486 çështje secili”.

Ndër të tjera kuptohet se “gjatë vitit 2023, vihet re një rritje e numrit të çështjeve administrative të regjistruara në gjykatë prej 48 % më shumë krahasuar me vitin 2022 edhe pse përafërsisht e njëjtë me prurjet e vitit 2021 (2 % më shumë)”.

Gjithashtu thuhet se “çështjet civile të regjistruara në vitin 2023, janë ulur me 6 % në krahasim me vitin e kaluar 2022”.

Sa ju përket shifrave në përfundime të raportit thuhet se numri i madh i çështjeve të grumbulluara në vite në Gjykatën e Lartë mbetet një problem shqetësues dhe një sfidë për veprimtarinë e saj, gjë që ka ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e procesit të administrimit të shpejtë dhe efektiv të drejtësisë.

Po kështu, sfidë për vitet në vijim mbetet edhe zgjidhja e çështjes së infrastrukturës së Gjykatës, si dhe përshtatja e mjeteve të punës me kërkesat më të fundit të teknologjisë së informacionit, me qëllim rritjen e efektivitetit në punë, kundrejt metodave klasike të punës.

Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka nisur vitin 2023 me 34 çështje të akumuluara në pritje të gjykimit.

Gjatë vitit 2023 në këtë gjykatë janë regjistruar një total prej 288 çështjesh të reja.

Në krahasim me vitin 2022 vlera e regjistrimeve të reja është 15% më e ulët.

Nga të dhënat statistikore rezulton se ngarkesa totale e gjykatës në vitin 2023 është ulur me 4.7 %.

Pavarësisht luhatjeve duhet thënë se Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar rezulton gjykata e apelit me ngarkesën më të ulët në rang republike.

Ndërkaq, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka nisur punën në janar 2023 me 152 çështje në pritje të gjykimit, 29 çështje më pak krahasuar me fillimin e vitit 2022.

Në gjykatë janë regjistruar 2 mijë e 59 çështje të reja, 716 ose 25% çështje më shumë krahasuar me vitin paraardhës.

Ngarkesa e gjykatës: për periudhën e raportimit është 2 mijë e 927 çështje, që përbën totalin e çështjeve të mbartura nga viti 2022 dhe çështjeve të reja të paraqitura në këtë gjykatë gjatë vitit 2023.

Në fund të vitit raportues, në këtë gjykatë mbeten në pritje për t’u shqyrtuar 126 çështje

Sa i takon Gjykatës së Apelit, akumulimi total ka arritur vlerën 37 mijë e 662 çështje, 20.1 % më tepër krahasuar me vitin 2022.

Gjatë vitit raportues, janë regjistruar 14 mijë e 507 çështje të reja (331 çështje më shumë se në vitin 2022).

Ngarkesa mesatare për gjyqtar krahasuar me një vit më parë është rritur me 56%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore