Shqipëria

Dëshmia e Dumanit e ‘fundosi’, Xhixha: Do të rrëfej lidhjet e tij me politikanët


Teksa ende po vijon seanca maratonë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ndaj të arrestuarve  -pas dëshmisë së Nuredin Dumanit – mësohet se ka pasur momente tensione.

Dumanit, të cilit iu komunikua masa e arrestit me burg në spital nuk ishte i shoqëruar me të pandehurit e tjerë.

Besjan Xhixha, një nga të arrestuarit, ka theksuar se Dumani pas çdo vrasje u jepte siguri se nuk do t’i ndodhte asgjë, pasi kishte lidhje me ministra, deputetë, prokurorë, madje duke theksuar edhe emra hetuesish.

“Nuredin Dumani ka kryer 12 vrasje. Pas çdo vrasje, na ka thënë se nuk më gjen asgjë, pasi ka lidhje me ministra, deputetë, prokurorë, madje më ka thënë që ka lidhje me prokurorin, Altin Dumani. E ka njeriun e vetë dhe ndihej i mbrojtur”, tha Xhixha në seancë.

Sipas tij, Dumani nuk po tregon të vërtetën nëse me të vërtetë është i penduar.

Po ashtu ai ka paralajmëruar se do të bëhet një i penduar i drejtësisë duke treguar lidhjen e politikanëve me krimin.

Kujtojmë se dy ditë më parë Prokuroria e Posaçme dhe Policia e Shtetit, ekzekutuan 32 urdhërarreste.

Policia e Shtetit, me urdhër të SPAK-ut, nisi një aksion në disa qytete të vendit.

Operacioni i Policisë vijoi në Tiranë, Elbasan, Korçë, Durrës dhe Fier.

Ky aksion ka ardhur pas rrëfimit të Nuredin Dumanit – i arrestuar më 29 mars të këtij viti.

Dumani ishte një nga personazhet më të kërkuara të botës së krimit.

Ai u arrestua më 29 mars pas një shkëmbimi me armë zjarri në periferi të Elbasanit.

Dumani u kap në një apartament në lagjen “Apollonia” në Fier, ndërsa ishte i plagosur.

Plumbin në kurriz, e mori gjatë një shkëmbim zjarri në aksin rrugor Elbasan-Cerrik, në afërsi të fshatit Papër.

Pas arrestimit, ai u transportua te “Trauma”.

Dumani është një person i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai akuzohet prej kohësh se rezulton i implikuar në dy ngjarje të rënda në Durrës, me një bilanc prej 4 viktimash.

Ai ka dëshmuar mbi një sërë ngjarjesh kriminale të ndodhura ndër vite në Shqipëri, duke hedhur dritë kështu në zbardhjen e detajeve për vrasjet e ndryshme.

Dumani përpara hetuesve ka treguar detaje nga vrasja e Elvis Dedajt – më 5 qershor të vitit 2012 te Shkëmbi i Kavajës – dhe nënës së tij. Kjo e fundit e vrarë nga Talo Çela, sipas dëshmisë së Dumanit.

Historia e Dedajt ka nisur pas një bashkëpunimi me Festim Qolin për blerjen e një karburanti “Clasik” në lagjen 14 Durrës. Qoli zotëronte 49% të aksioneve ndërsa nëna e Dedajt, Fatmira Habili 51%.

Ndërkohë Dumani ka rrëfyer dhe njohjen me Festim Qolin. Ai ka dëshmuar se janë njohur në fund të vitit 2012, në lagjen 14 në Durrës – vend ku banonte Dumani.

Sipas Dumanit Qoli njihej si një person me “reputacion të lartë aty”. Ata janë takuar vazhdimisht në lokalin në pronësi të Qolit, Bar Kafe “Spiranca”.

Fillimisht Dumani ka treguar se ka pasur konflikte me Qolin pasi ky i fundit kishte pasur konflikte me kushërinjtë e Dumanit.

Më pas janë bërë shokë. Qoli i ka rrëfyer Dumanit se për të mbyllur çështjen për të mos dyshuar më te ai për vrasjen e Dedajs kishte dhënë 200 mijë euro.

Më tej Dumani ka deklaruar se Festim Qoli ka qenë ai që e ka vrarë Dedajn. Këtë gjë ia kishte dëshmuar vetë Qoli.

Dumani kështu ka zbardhur detajet e lëvizjes së Qolit ditën e vrasjes.

Festim Qoli dhe Henrik Hoxha kanë qenë dy vrasësit e Dedajs, ka rrëfyer Dumani. Këtë ia kanë pohuar të dy. Festimi ka qenë shofer i automjetit që kanë përdorur për të vrarë Dedajn ndërsa ekzekutori ka qenë Henriku me armë automatike.

“Pasi Elvisi është ngritur nga tavolina ka shkuar në makinë për t’u larguar, në atë moment Festimi me Henrikun kanë qenë duke e pritur. Sapo Elvisi është futur në makinë ka shkuar Henriku dhe e ka qëlluar me armë. Pas ngjarjes janë larguar me makinën Mitsubishi L200, të cilën e kanë djegur në Kodër Arapaj. Nga djegia e makinës Festimi ka djegur vetullat dhe fytyrën”, ka rrëfyer Dumani.

Ndërkohë nëna e Dedajs është vrarë në vitin 2013 në Durrës, nga Talo Çela, sipas dëshmisë së Dumanit.

Më 2 mars 2020, thuhet se ai ka bashkëpunuar me Talo Çelën, e më pas i ka ekzekutuar të vëllanë, për arsye ende të paqarta.

Operacioni policor është ndërmarrë duke përdorur edhe dronë, ku parësisht është vëzhguar situata për gjetjen e armëve, drogës dhe personave në kërkim për ngjarjen e Elbasanit.

Ai është përmbyllur me sukses sa kuptohet prej informacioneve paraprake, i cili finalizohet me kapjen e Dumanit.

Çfarë ndodhi në Elbasan?

Më datë 29 mars 2022, rreth orës 17:35, në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, në Papër, u qëllua me armë zjarri ndaj një automjetit tip “BMW”, në të cilin dyshohet se udhëtonte Talo Çela.

Gjatë përplasjes me armë, Dumani u arratis duke u nisur në Fier, në apartamentin e marrë me qira.

Bashkë me të në pranga kanë rënë edhe pesë persona të tjerë.

Mes të arrestuarve me Dumanin, janë dy mjekët, Julian Malaj, Bledi Bërdalli dhe ndihmës mjeku Ermal Gjeci. Këta persona dyshohet se kanë mjekuar 35-vjeçarin në shtëpi dhe nuk e kanë kallëzuar ngjarjen.

Në pranga ka rënë 20-vjeçarja e dashur e Nuredin Dumanit e cila akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Ndërkohë i arrestuar është edhe Henrik Hoxha, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore