Shqipëria

Berisha konfirmon kandidaturën: Me mua në krye PD fiton


“Ju më pyesni, a fiton PD-ja me Sali Berishën në krye? Unë them fiton”.

Kështu ka deklaruar ish-kryeministri Sali Berisha, duke konfirmuar garimin në zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike.

Ai u shpreh gjithashtu se nëse PD-ja nën drejtimin e tij do të humbasë zgjedhjet e ardhshme lokale, do të dalë sërish në bazë për të kërkuar votëbesimin e anëtarësisë dhe do të largohet nga drejtimi i partisë nëse humbet zgjedhjet e përgjithshme.

“Kushdo që të vijë të garojë me mua është i mirëpritur. Nëse nuk fitoj, e respektoj. Nëse në zgjedhjet lokale humbas, do vij të votohem te ju. Po humba zgjedhjet e përgjithshme, largohem dhe jap dorëheqjen”.

Ish-kryeministri tha se bunkerizimi i Partisë Demokratike nuk mund të bëhej kurrë.

“Ne kaluam një krizë dhe ish-kryetari i PD-së dha dorëheqjen për zhvillimet siç e tha vetë ai nga 9 shtatori deri sot. Unë ju them ju se asnjë demokrat i Tepelenës, Gjirokastrës, apo Shqipërisë që gjatë këtyre muajve ndoqi në një mënyrë apo një tjetër ish-kryetarin nuk ka asnjë përgjegjësi për vendimin e 9 shtatorit sepse ai nuk pyeti asnjëri mbi tokë”, deklaroi Berisha nga Tepelena referuar kryetarit të dorëhequr Lulzim Basha.

Sipas tij, Basha nuk pyeti institucionet as forumet.

“ Ju e shihni, dje po hiqeshin dyert. A mund të imagjinoni? E ardhmja me dhjetëra tonë bunkerë. A ishte normal apo nuk ishte normal ai që e bëri nuk mund të them. Por, ai dha dorëheqjen. Ajo s’mund të bëhej kurrë. Megjithatë selia po hapet për të gjithë demokratët, shtëpia jonë e përbashkët aty është, prandaj duhet të vini”.

Berisha theksoi se selia po hapet.

“Shtëpia jonë e përbashkët, aty është. Tani unë vlerësoj shumë frymën e pajtimit që ekziston në bazë. Kjo egziston edhe në qendër”.

Gjatë takimit me kryetarin e komanduar Enkelejd Alibeaj, ky i fundit i kishte thënë se me të non grata PD nuk fiton, por Berisha tha se i kishte kujtuar “1997 dhe 2005 kur PD fitoi dhe ndryshoi Shqipërinë”.

Lidhur me vendimin për shpalljen e tij non-grata nga SHBA-të, Berisha theksoi se për të ka dy Amerika.

“Ka një Amerikë që më ka shpallur non grata dhe që nuk i kam kërkuar kurrë ta heqë këtë vendim. Ka një Amerikë tjetër, ajo Republikane, e asaj partie të madhe që është e rreshtuar PD-ja që nga krijimi gjer më sot”.

Ai theksoi se nuk do kërkoj “kurrë sa të jetë në pushtet Antony Blinken që të ndryshojë vendimin e tij”.

“Më ka cënuar dinjitetin, pranoj vetëm të falur publikisht, asgjë tjetër”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore