Kosova

Avancimi i statusit të Kosovës në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s


Ilustrim.

Kosova do të jetë në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-së, e cila do të mblidhet këtë fundjavë në Sofje të Bullgarisë.

Lajmin e ka bërë të ditur Asambleja Parlamentare e NATO-së.

“Do të vendosin për kërkesat e Maltës dhe të Kuvendit të Kosovës për t’u bërë delegacione të anëtarëve të asocuar”.

“Sfidat e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor do të trajtohen, ashtu si edhe strategjitë për mbështetjen e partnerëve në rrezik dhe për rritjen e angazhimit me Jugun Global”, thuhet në komunikatën e asamblesë.

Instituti Ndërkombëtar për Siguri në Serbi, ishte angazhuar për ta penguar avancimin e Kosovës në këtë organizë, këtë e kishte bërë përmes thirrjeve ku thoshte se “do të ishte e dëmshme si për Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ashtu edhe për proceset e stabilizimit dhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor”.

“Demokracia në Kosovë nuk është funksionale. Institucionet e saj janë të ngarkuara me një nivel jashtëzakonisht të lartë të korrupsionit dhe praktikave të tjera jodemokratike, ndërsa të drejtat e komuniteteve pakicë, veçanërisht ato serbe, nuk mbrohen”, kishte thënë ky institut.

Më 12 mars, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kishte nënvizuar se është i domosdoshëm përparimi i proceseve integruese deri në anëtarësim të plotë të Kosovës.

Katër vende anëtare të NATO-s – Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia – nuk e njohin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore