Shqipëria

Berisha akuzon qeverinë për ndërhyrje në gjykatë, nuk kursen as ambasadorë


Fill pas mbarimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike – e cila zgjati rreth tetë orë – ish-lideri Sali Berisha ka deklaruar se ka siguruar burime ku vërtetohet se qeveritarë dhe jo vetëm kanë ndërhyrë në Gjykatën e Apelit për sa i takon ankimimit të kryetarit të komanduar Enkelejd Alibeaj për regjistrimin e statutit të “Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit”.

Nga selia blu Berisha ka theksuar se, “nuk përtoj t’i bëj publike provat që Edi Rama, diplomatë dhe ambasadorë kanë ndërhyrë fuqishëm në gjykatë”.

“Edi Rama po përdor si mashë, po bëhen presione të jashtëzakonshme në gjykatë, të gjithanshme. Nëse s’do kisha dy burime nuk do ta thosha”, vijoi Berisha përpara medias.

Kujtojmë Alibeaj nën postin e kryetarit të komanduar të demokratëve ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila më 25 mars ka njohur ndryshimet statutore të Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit – i thirrur nga Berisha me konfirmimin e rreth 5 mijë delegatëve, ku dhe u formua Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD-së.

Sakaq Berisha përpara mediave theksoi se Alibeajn do e ndjekë fati i kryetarit të dorëhequr Lulzim Basha.

Më herët Berisha lajmëroi se Alibeaj nuk do të jetë më kryetar i Grupit Parlamentar.

Replikat në distancë mes Berishës dhe Alibeajt nuk munguan. Ky i fundit iu përgjigj deklaratës së ish-liderit të PD-së se, “këtë historinë e mos njohjes do doja të mos e thoshte goja e Berishës nëse ka besim në atë bashkim, qoftë dhe sepse nuk është anëtar i PD-së”.

Ndërsa sa i përket ankimimit të dorëzuar në Gjykatën e Apelit, Alibeaj u shpreh i prerë se nuk do të heqë dorë nga ky proces.

“Kam qenë këtu para dy javësh ditën kur u dha vendimi që ishte një vendim i marrë në mënyrë të paligjshme, në shkelje ligjore dhe konflikt interesi”, tha Alibeaj.

Përpos këtyre vendimi i Gjykatës do të thoshte se, çdo akt i organeve të PD-së, shfuqizohet automatikisht me hyrjen në fuqi të Statutit të 11 dhjetorit.

Konkretisht me njohjen e statutit të 11 dhjetorit ra vendimi i Bashës, i cili një ditë përpara fillimit të punimeve të Legjislaturës së re – më 9 shtator 2021 – përjashtoi Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së.

Ky vendim i Bashës erdhi pas shpalljes së ish-kryeministrit dhe familjes së tij si persona non-grata nga SHBA-të.

Pikërisht ky vendim i Departamentit Amerikan të Shtetit, më 19 maj të vitit 2021, do të sillte një përçarje “të thellë” të demokratëve.

Por, si kundërpërgjigje ndaj “përjashtimit nga Basha”, Berisha nisi menjëherë një aksion, duke mbajtur një seri foltoresh për të mbledhur firmat për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore