Kosova

LDK-ja s’e pranon “instrumentalizimin” e opozitës: Dorëheqja e Kurtit duhet t’i paraprijë datës së zgjedhjeve


Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nëpërmjet një komunikate për media të martën, ka thënë se dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duhet t’i paraprijë shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që t’u hapet rruga zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.

“Zgjidhja është e thjeshtë, dorëheqja e kryeministrit dhe pastaj, si rrjedhojë, shpërbërja e kuvendit. Pas tre vjet e gjysmë populizëm dhe pa ndonjë progres thelbësor, pas tre vjet e gjysmë polarizimi, ndarjeje shoqërore e nxitje të propagandës pa asnjë konsideratë njerëzore e politike, kryeministri ka zgjedhur instrumentalizimin e opozitës si shpëtim individual”.

“Fatkeqësisht, në këtë instrumentalizim, ka gjetur aleatin. LDK-ja nuk e pranon këtë insturmentalizimi në asnjë rrethanë”, ka nënvizuar LDK-ja pas takimit midis kryeministrit Kurti dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, që u mbajt të hënën në mbrëmje, ku palët diskutuan për datën më të përshtatshme për zgjedhjet e reja parlamentare.

“LDK-ja është e gatshme të kërkojë besim qytetar, e gatshme të marrë përgjegjësinë para sfidave, e gatshme të implementojë “Rrugën e Re” si program zhvillimor, të djathtë e euroatlantik.  Për këtë, duhet dorëheqja e kryeministrit, si rruga e duhur drejt shpërbërjes së kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Dorëheqja, më pas shpërbërja dhe në fund data”.

Nga partia më e vjetër në Kosovë kanë konsideruar se fokusi i institucioneve dhe partive politike duhet të jetë çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, proces të cilin e ka “rrezikuar rëndë” vetë kryeministri, ndërsa kanë njoftuar se LDK-ja do të refuzojë “farsën e darkave” si mbulesë të një uniteti politik që u përbuz kur u ofrua tash e tre vjet e gjysmë.

Refuzimi i LDK-së ka ardhur për shkak se e ka konsideruar “shumë të vonuar” ftesën e kryeministrit nën argumentin se pushteti e ka shuar frymën e bashkëpunimit. Ndryshe, partitë politkke veçse kanë nisur të mobilizohen për shkak të mundësisë së zgjedhjeve të reja pak para përfundimit të mandatit të qeverisë së drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore