Lajme

BE: Zgjedhjet lokale do të monitorohen në çdo pjesë të Kosovës, përfshirë edhe Veriun


Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EU EOM)

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EU EOM), pavarësisht situatës së krijuar në Veri të Kosovës, nuk do ta ndalë veprimtarinë dhe do të vëzhgojë procesin zgjedhor edhe në Veri.

Ky mision ka dërguar 22 vëzhgues afatgjatë për zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 17 tetor të vitit 2021.

Sipas Shefit të Misionit, Lukas Mandl, i cili është anëtar në Parlamentin Evropian nga Austria, ka thënë se ky proces do të vëzhgohet gjatë fushatës zgjedhore, në zgjedhje dhe pas zgjedhjeve.

“Misioni ynë ngërthen procesin para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, pra kjo nënkupton që do t’i mbulojmë edhe fushatat zgjedhore”.

“Ajo që është e rëndësishme është se vëmendja jonë do të jetë në gjitha komunat e Kosovës. Çka do që të ndodhë, ajo që e kemi parasysh është se veprimtaria jonë ndërlidhet me zgjedhjet, që ta vëzhgojmë procesin zgjedhor në Veri dhe në gjithë Kosovën”, është shprehur ai.

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl

Po ashtu, Mandl ka theksuar se kontributi i tij ka të bëjë me zhvillimin e demokracisë.

“Kam qenë në shume vite në Kosovë dhe dua ta ndaj kontributin tim për demokracinë në Kosovë, ku dua ta falënderoj Presidenten Vjosa Osmani për ftesën që na ka bërë për mbulimin e këtyre zgjedhjeve”.

Eurodeputeti austriak, Mandl ka potencuar se risi në këtë proces është edhe vëzhgimi i rrjeteve sociale në fushatë dhe në ditën e zgjedhjeve.

“Do të mbaj takime me kandidatë dhe me shoqërinë civile. Krahas kësaj kemi një risi nga BE, ku për herë të parë do të kemi një analist të medieve sociale dhe katër ekspertë që do t’i ndjekin zhvillimet në rrjetet sociale”, shtoi ai.

Ndërkaq, me nisjen e vëzhguesve afatgjatë pranë selisë së misionit “EU EOM” në Prishtinë, zëvendësshefi i misionit, Konrad Olszeëski, pati thënë se kjo do të kontribuojë për të arritur një vlerësim të plotë rreth procesit të zgjedhjeve.

Zëvendësshefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Konrad Olszewski

“Po i përcjellim 11 ekipe vëzhguesish afatgjatë, secili nga dy anëtarë, të cilët do ta vlerësojnë fushatën dhe përgatitjen për zgjedhje në të gjitha komunat në të gjithë Kosovën”, është shprehur Olszeëski para mediave.

Sipas tij, vëzhguesit afatgjatë janë “shumë të rëndësishëm që misioni të mund të arrijë një vlerësim të plotë dhe gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor në përputhje me metodologjinë standarde të vëzhgimit të zgjedhjeve nga BE”.

Po ashtu, ai ka treguar se vëzhguesit afatgjatë vijnë nga 19 shtete dhe gjysma e tyre janë gra.

“Ato do të takohen me zyrtarë vendorë për zgjedhje, kandidatë dhe përfaqësues nga partitë politike, si dhe me shoqërinë civile dhe mediat”.

Olszëeski se misioni do të përforcohet edhe me vëzhgues afatshkurtër rreth ditës së zgjedhjeve për t’u siguruar që një numër i konsiderueshëm vendvotimesh të vizitohen.

“EU EOM do të qëndrojë në Kosovë deri në përfundimin e procesit zgjedhor, përfshirë balotazhin e mundshëm të zgjedhjeve për kryetar komune”, shtoi ai.

Ndërkaq, zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen më 17 tetor, për të cilat të enjten e 16 shtatorit ka nis fushata zgjedhore nga kandidatët për kryetarë të komunave të Kosovës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore