Lajme

Bajrami kërkon urgjentisht të ndahen mjete shtesë për rrezikshmërinë e policëve


Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka quajtur “lajm të mirë” ndarjen e 50 mijë eurove për familjen e heroit Afrim Bunjaku, por duke thënë se kjo “s’është e mjaftueshme”.

Bajrami, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se urgjentisht është e nevojshme që për Policinë e Kosovës të ndahen shtesat për rrezikshmërinë.

“Lajm i mirë ndarja e 50 mijë eurove për familjen e Heroit Afrim Bunjakut. Por, kjo nuk është e mjaftueshme. Urgjentisht, Qeveria duhet të ndajë mjete për shtesën e rrezikshmërisë në punë për gjithë policët”.

“Sot, Qeveria do të duhej të çonte përpara sigurimet jetësore e shëndetësore për gjithë ruajtësit e rendit në Republikë”, ka thënë Bajrami.

Ajo është shprehur se nuk ka dyshim që Policia është histori suksesi për Kosovën.

“Pa asnjë dyshim, Policia është storie suksesi për Republikën e Kosovës për gjithë këto vite prandaj Qeveria duhet të avancojë me plotësimin e kushteve të punës për secilin polic, ushtar dhe për kategoritë tjera”.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e të mërkurës ka ndarë mbi 50 mijë euro për familjen e policit të vrarë në Banjskë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se me këtë vendim do të mundohen sado pak t’i ndihmojnë bashkëshortes së rreshterit Bunjaku, vajzës dhe dy djemve të tij.

Edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se do të qëndrojnë afër familjes së rreshterit, Afrim Bunjaku.

Në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator ndodhën sulme terroriste ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti si dhe u lëndua një tjetër.

Pas kësaj Policia e Kosovës reagoi duke kërkuar nga terroristët të dorëzohen, ata refuzuan të dorëzohen duke vazhduar sulmet me armë ndaj policisë.

Nga gjuajtjet me armë zjarri, katër terroristë u vranë dhe tetë janë arrestuar.

Lidhur me sulmet terroriste, Policia ka sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan gjatë ditës së hënë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore