Kosova

Avokati i ish komandatit të UÇK-së në Hagë: Klienti im duhet t’i dijë emrat e viktimave për të cilët akuzohet


Në seancën e parë mbi ecurinë e rastit të ish komandantit të UÇK-së, Pjetër Shala e cila po zhvillohet në Hagë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka thënë se pritet të jenë 12 dëshmitar lidhur me akuzën e ngritur.

“Ne kemi paraqitur katër dëshmitarë me materialet që mbështesin aktakuzën dhe parashikojmë të paraqesim maksimumin edhe 8 dëshmitarë shtesë. Kjo gjithashtu është pjesë e informacioneve që ju kemi dorëzuar dje me shkrim”, ka deklaruar përfaqësuesja e ZPS-së.

Mirëpo sa i përket fakteve për ngritjen e aktakuzës ZPS thotë se kanë disa materiale mbështetëse si deklarata, disa dokumente dhe urdhra.

“Kemi paraqitur një zbërthim të asaj se çfarë përmbajnë materialet mbështetëse në thelb, më së shumti këto janë deklaratat e dëshmitarëve, disa dokumente të tjera që përfshijnë raporte, urdhra dhe materiale të tjera. Presim se materialet të tjera që do të prezantohen pas materialit mbështetës të aktakuzës do të jenë ngjashmëri me to.”

Ndërsa mbrojtja e ish komandant Shalës, ka kërkuar që të bëhen të ditur emrat e ‘viktimave’ për të cilët akuzohet klienti i tij, në mënyrë që të kenë më të lehtë çështjen.

“Duam që të kemi një procedurë të pakushtëzuar, Shala duhet t’i dijë emrat e viktimave për të cilët akuzohet. Këto të dhëna do të na ndihmojnë që të flasim për efektivitet të hetuesisë”, tha avokati i Shalës, Jean-Louis Gillissen.

I njëjti ka kërkuar gjithashtu që provat në mbështetje të aktakuzës  së ngirut nga prokuroria, t’u vihen në dispozicion sa më shpejt.

“Një problem i madh është nxjerrja e materialeve në mbështetje të aktakuzës, pasi ne e kemi marrë propozimin dhe kërkojmë që provat të na vihen në dispozicion sa më shpejt të jetë e mundur” është shprehur ai.

Gjykata Speciale me datën 18 është mbajtur seancën e parë ndaj ish komandantit të UÇK-së, Pjetër Shalës i njohur me nofkën “Ujku”.

Në fillim të seancës në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë atij i ishte lexuar aktakuza, ku Shala akuzohet për “ndalim arbitrar”, “trajtim mizor”, “torturë” dhe “vrasje të paligjshme”.

Pas leximit të aktakuzës Shala në pyetjen se a i kupton akuzat, ai ishte përgjigjur:

“Po i nderuar i kuptova. Qesharake më duken” u deklarua ai duke shtuar se nuk është hera e parë që paraqitet në Gjykatën e Hagës.

Ndërsa sa i përket aktakuzës në fjalën e dhënë, Shala ishte deklarua i pafajshëm.

“Ju faleminderit zotëri Gjyqtar, dhe unë nuk e ndiej veten se kam bërë ndonjë krim, përveçse kam mbrojtur atdheun tim dhe popullin tim dhe ndihem i pafajshëm“.

Pjetër Shala

Ish komandanti i UÇK-së, Pjetër Shala është arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë, ku më 15 prill 2021 u transferua për në Hagë sipas kërkesave për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestim dhe urdhrit për transferim të lëshuar nga Gjykata Speciale.

Akuza që është ngritur ndaj z.Shala është e konfirmuar dhe sipas saj, ai akuzohet për krime lufte.

Ndërsa krimet për të cilat akuzohet Shala pretendohet nga ana e prokurorisë se u kryen afërsisht mes 17 majit të vitit 1999 dhe 5 qershorit po të atij viti. Ndërsa ky krim i pretenduar thuhet se është kryer kundër personave që janë mbajtur të ndaluar në fabrikën e metalit në qytetin e Kukësit të Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore