Sport

Aurelien Tchouameni, ylli i Monaco-s, në shënjestrën e të mëdhave evropiane


Mesfushori defensiv i Monaco-s, Aurelien Tchouameni, vazhdon të jetë një ndër emrat më të kërkuar nga talentët e top-pesë ligave evropiane.

21-vjeçari, që iu bashkua Monaco-s gjatë janarit të vitit 2020, duket se nuk do të qëndrojë edhe për shumë te kjo skuadër.

Pozita e tij është një ndër ato që ka më shumë mungesa.

Plot klube të mëdha evropiane po kërkojnë mesfushorë klasi dhe të fortë fizikisht, që jo vetëm ndihmojnë në mesfushë, por edhe janë të rëndësishëm për prapavijën.

Për të janë të interesuar tre klube, me dy që vijnë nga Premier League, që është edhe ëndrra e Tchouameni-t.

Chelsea dhe Liverpool janë skuadrat që kanë shfaqur interes për të nga ishulli.

Këta të parët po kërkojnë një mesfushor, i cili është i gatshëm të luajë para treshes së mbrojtjes.

Saul, që erdhi në huazim për këtë arsye, nuk e ka ofruar stabilitetin e nevojshëm në këtë fillim-sezoni.

Kurse, Liverpool-i, e sheh Tchouameni-n si një zëvendësues të mundshëm për kapitenin Henderson.

Skuadra tjetër e interesuar është Juventus-i.

Në fakt, ndryshe nga dy skuadrat e para, Juventus-i është e vetmja që mund t’i ofrojë francezit siguri për vendin në 11-she.

Italianët e shohin atë si një ndër emrat për mesfushën e të ardhmes, bashkë me Locatelli-n dhe McKennie-n.

Monaco e vlerëson lojtarin rreth 40 milionë euro.

Së shpejti do të kuptohet se cila skuadër është e gatshme që të ofrojë këtë shifër, me Aurelien që do të mbetet një ndër emrat më të përfolur deri në fund të këtij sezoni.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore