Sport

Arsenal-i përgatit ofertë prej 100 milionë eurosh për transferimin e Osimhen


Futbollisti i Napolit, Victor Osimhen, ishte një nga sulmuesit më të mirë në sezonin e kaluar në Itali.

Shumë skuadra të mëdha evropiane janë vënë pas sulmuesit nigerian, derisa së fundmi ka shprehur interesim Arsenal-i.

Sipas asaj që raporton “La Gazzetta dello Sport”, klubi londinez është duke përgatitur një ofertë prej 100 milionë euro për ta bindur Napolin që ta lërë të lirë sulmuesin 23 vjeçar.

Mediat në Itali gjithashtu theksojnë se edhe Manchester United është i interesuar për Osimhen-in, por “topçinjtë” janë në avantazh.

Mbetet të shihet në ditët në vazhdim se cila do të jetë e ardhmja e sulmuesit nigerian, por siç theksohet në mediat italiane, vështirë se Napoli do të mund ta mbajë atë në skuadër.

Kujtojmë që Napoli e transferoi atë në verën e vitit 2020, duke shpenzuar në arkat e klubit francez, Lille, shumën e 75 milionë eurove.

Në sezonin e kaluar, ai luajti vetëm 32 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e Napolit, prej të cilave shënoi 18 gola dhe dhuroi gjashtë asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore