Shqipëria

Arrestohet në Greqi i shumëkërkuari Laert Haxhiu, autor i dyshuar i masakrës së Lushnjës


Me leje qëndrimi greke të falsifikuar, kapet dhe vihet në pranga i shumëkërkuari Laert Haxhiu.

Është ky njoftimi i bujshëm i bërë mesditën e 23 majit nga Policia e Shtetit, lidhur me një nga personat më të kërkuar në Shqipëri, Laert Haxhiu, i cili është i dyshuar për masakrën e Lushnjës në vitin 2017.

“Falë sigurimit të informacionit nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimit në kohë të këtij informacioni me homologët grekë, kapet në Janinë, Greqi, dhe arrestohet me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, shtetasi Laert Haxhiu, i dënuar me 18 vjet burgim”, shkruhet në njoftim.

Shtetasi 31-vjeçar është kapur me një leje qëndrimi greke të falsifikuar, me emrin M.A., 32 vjeç.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2017, e ka dënuar këtë shtetas me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në mars 2023, lidhur me të njëjtën ngjarje, Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së duke dënuar me burgim të përjetshëm autorët e masakrës së Lushnjës, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha.

Dy autorët, Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, janë akuzuar për vrasjen e tyre të kryer në vitin 2017.

Në atentatin për vrasjen e Xhulio Shkurtit, nipit të Aldo Bares u plagosën Bujar Turku e Marjus Xhepexhiu.

Ndërsa Laert Haxhiu vijonte asokohe të ishte në kërkim, teksa hetimi ndaj tij ishte pezulluar dhe në bazë të Kodit të ri pas një viti riniste procesi në mungesë.

Por, me kapjen rishtazi, ai vihet në dispozicion të drejtësisë shqiptare për gjykim tashmë.

Bilbili dhe Kaloshi u dënuan si autorë të masakrës së Lushnjës, ku vranë Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën më 11 tetor 2017 në Lushnjë, por u shpëtoi shënjestra, Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjës.

Në këtë atentat u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.

Veç akuzës së vrasjes në rrethana cilësuese të një ose më shumë personave, Bilbili akuzohet për “Kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit kriminal”.

Anterio Kaloshi u arrestua më 13 gusht, pasi bashkë me të tjerë qëlluan me kallashnikov drejt Hotel Volorekës në Pogradec më datë 8 gusht, ku Kaloshi kishte rolin e ekzekutorit.

Ndërkaq, Orges Bilbili u kap më datë 10 prill në zonën e Xhamllikut në Tiranë, i cili u plagos nga polici pasi tentoi të largohej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore