Lajme

Ambasadorja suedeze në Beograd: Kosova dhe Serbia të kthehen në dialog, thjesht s’ka mundësi tjetër


Anika Ben David

Ambasadorja e Sudisë në Serbi, Anika Ben David, në një intervistë për rrjetin ballkanik të lajmeve “N1”, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të kthenen në dialogun për normalizimin e marrëdhënive të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian sepse nuk ka tjetër rrugë, sidomos pas agresionit të paprovokuar rus në Ukrainë.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që të mund të kthehemi në rrugën e normalizimit, sepse thjesht nuk ka mundësi tjetër. Me luftën në Evropë, ne duhet të shmangim çdo burim tjetër destabilizimi. Për integrimin e tyre evropian është e rëndësishme para së gjithash të arrihet normalizimi”, tha diplomatja suedeze.

Serbia është në mesin e shteteve të pakta evropiane që s’i kanë vendosur sanksione Rusisë, prandaj diplomatja suedeze ritheksoi se presin nga Serbia që të harmonizohet me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, veçanërisht në raport me agresionin e paprovokuar rus ndaj Ukrainës.

“Ne vazhdimisht i kujtojmë Qeverisë së Serbisë se presim që ajo të përafrohet me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së kur është fjala për Rusinë. Ky është qëndrimi që do të duhet për të ecur përpara drejt rrugës evropiane”, saktësoi ambasadorja Ben David.

“Serbia është një vend evropian që i përket familjes evropiane dhe në të njëjtën kohë është e rëndësishme të mos harrohet fakti që vetë vendet kandidate duhet të bëjnë përpjekje në përputhje me kriteret dhe planet e aktivitetit”, ka shtuar ndër të tjera ajo.

Ndryshe, qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-përshkallëzimin e gjendjes në terren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore