Lajme

Ambasadori i ri britanik, Kurtit: Britania do ta ketë në zemër gjithmonë interesin më të mirë të Kosovës


Albin Kurti dhe Jonathan Hargreaves

Ambasadori i ri i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, është takuar me kryeministrin Albin Kurti, të cilit i ka thënë se shteti që ai përfaqëson ka qenë aleat i Kosovës në ditë të mira dhe të këqija.

Lajmi është bëri i ditur nga vetë Hargreaves, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Në kohët e mira ashtu edhe në kohët më të vështira, Mbretëria e Bashkuar ka qenë aleate e Kosovës dhe gjithmonë do të ketë në zemër interesin e saj më të mirë”, shkroi ai.

“Ishte kënaqësi të pata takimin tim njohës me kryeministrin Albin Kurti dhe të diskutova për gamën e gjerë të bashkëpunimit dhe si ta thellojmë atë. Shpresojmë që të keni shijuar vizitën e fundit në Irlandën e Veriut”, theksoi diplomati britanik.

Gjatë ditës, ambasadorin e ri britanik e ka takuar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, të cilin e ka uruar për detyrën dhe ka vlerësuar marrëdhëniet në mes të dy vendeve.

“Duke e uruar ambasadorin Hargreaves për detyrën e re në krye të misionit britanik në Kosovë, kryetari Konjufca vlerësoi lart marrëdhëniet midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dy vende mike dhe me raporte të ngushta bashkëpunimi”, ka njoftuar kuvendi.

Pos kësaj, kreu i kuvendit ka vlerësuar edhe kontributin e Britanisë së Madhe nëpër proceset e rëndësishme që po kalon aktualisht Kosova.

“Kryetari Konjufca vlerësoi gjithashtu kontributin e Mbretërisë së Bashkuar në proceset e rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Kosova, duke theksuar nevojën që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tej.”

“Kreu i Kuvendit vuri në pah aspiratat dhe perspektivën euro-atlantike të vendit tonë, si dhe angazhimet e institucioneve në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.”

Nga ana tjetër, ambasadori Hargreaves ka shprehur përkushtimin e shtetit të tij për të vazhduar mbështetjen për Kosovën.

“Ambasadori Jonathan Hargreaves shprehu përkushtimin e shtetit të tij për të vazhduar mbështetjen për Kosovën dhe për forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm midis dy vendeve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore