Lajme

Ajeti për letrën e disa politikanëve perëndimorë për Borrellin e Blinkenin: Mos të ndiqet politika zemërgjerë ndaj Beogradit


Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka reaguar pasi politikanë dhe ekspertë të politikës së jashtme nga disa shtete perëndimore i janë drejtuar me një letër të përbashkët Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, James Cleverly, lidhur me situatën politike dhe të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.

“Në këtë iniciativë të përbashkët drejtuar komunitetit ndërkombëtar, ata kërkojnë të nxirren mësimet nga e kaluara dhe mos të ndjek një politikë me Beogradin në qendër të Ballkan-it, ku Serbia duhet të shihet si përgjegjëse për përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës dhe mos të ndiqet një politikë me zemërgjerësi ndaj Beogradit, e cila ka dëshmuar që nuk po funksionon”, ka shkruar Ajeti në Facebook.

Ai ka theksuar se Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale.

“Ky fakt duhet të përbëjë bazën e politikës sonë të përbashkët ndaj krizës aktuale”.

Në letrën të cilën e ka publikuar gazeta gjermane “Tagesspiegel”, kryediplomatëve evropiano-amerikanë iu kërkohet një qasje më të ashpër dhe më të vendosur ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në letrën e nënshkruar mbi të gjitha nga kryetari i komisionit parlamentar për politikë të jashtme në Parlamentin e Gjermanisë (Bundestag) Michael Roth dhe kryetari i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bob Menendez, specifikohet se baza e politikës së përbashkët përndimore ndaj krizës aktuale në veri, duhe të jetë fakti se Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale.

“Qasja aktuale nuk po funksionon. Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurojë që ne të mos ndjekim politika me qendër Beogradin. Të shqyrtohet një politikë e diplomacisë parandaluese për të parandaluar një përkeqësim të mëtejshëm të situatës së sigurisë në veri të Kosovës. Ata që mbrojnë shtetin ligjor dhe demokracinë nuk duhet të qortohen”.

“Zbulimet e fundit të depove të armëve në veri të Kosovës dhe raportet për kontrabandën e vazhdueshme të armëve përmes kufirit Serbi – Kosovë, nxjerrin në pah rreziqet e përshkallëzimit të mëtejshëm. Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale. Ky fakt duhet të përbëjë bazën e politikës sonë të përbashkët ndaj krizë aktuale”, thuhet ndër të tjera në letër.

Menendez dhe Roth letër Borrellit e Blinkenit: Ata që mbrojnë shtetin ligjor dhe demokracinë nuk duhet të qortohen

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore