Lajme

Ambasadorët e NATO-s do të mblidhen pas sulmit në Poloni, “në lojë” neni 4 i Aleancës


Ambasadorët e NATO-s pritet të takohen të mërkurën me kërkesë të Polonisë në bazë të nenit 4 të aleancës.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”, duke cituar dy diplomatë evropianë.

Vendimi erdhi pas një shpërthimi në Poloni afër kufirit ukrainas që thuhet se është shkaktuar nga një raketë e humbur ruse.

Cili është neni 4 i NATO-s?

Pas raportimeve për sulme raketore ruse në Poloni, qeveria në Varshavë thirri një mbledhje urgjente të këshillit të saj të sigurisë kombëtare. Neni 4 i NATO-s mund të luajë një rol kyç. Si ndryshon nga neni 5?

Neni 4 i traktatit të NATO-s mbulon rastin kur një shtet anëtar ndihet i kërcënuar nga një vend tjetër ose një organizatë terroriste.

Më pas, 30 shtetet anëtare fillojnë konsultimet formale me kërkesë të anëtarit të kërcënuar.

Bisedimet shikojnë nëse ekziston një kërcënim dhe si t’i kundërvihen atij, me vendime të arritura unanimisht.

Megjithatë, neni 4 nuk do të thotë se do të ketë presion të drejtpërdrejtë për të vepruar.

Ky mekanizëm konsultimi është aktivizuar disa herë në historinë e NATO-s.

Për shembull, nga Turqia një vit më parë, kur ushtarët turq u vranë në një sulm nga Siria. Asokohe NATO vendosi të konsultohej, por nuk ndërmori asnjë veprim.

Si ndryshon Neni 4 i NATO-s nga Neni 5?

Pas pushtimit rus të Ukrainës në fund të shkurtit, anëtarët e NATO-s Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia nxorën nenin 4.

Së bashku me Sllovakinë, Hungarinë dhe Rumaninë, këto vende janë pjesë e “krahut lindor” të NATO-s, i cili është përforcuar me mijëra trupa nga anëtarët e NATO-s.

Neni 4 është i ndryshëm nga neni 5 i Kartës së NATO-s.

Ky i fundit parashtron ndihmën ushtarake nga e gjithë aleanca, nëse një nga shtetet anëtare sulmohet.

E vetmja herë që u përdor Neni 5 ishte në vitin 2001 pas sulmeve të Al-Qaeda’s në SHBA, të cilat vranë më shumë se 3 mijë njerëz. Kur SHBA-të më pas sulmuan Afganistanin, NATO dërgoi gjithashtu një mision.

Traktati i NATO-s vlen vetëm për shtetet anëtare.

Ndërtimi i ngjarjes

Pas raportimeve në mediat polake, erdhi deklarata e një zyrtari të lartë të inteligjencës amerikane, i cili tha se raketat ruse kaluan në Poloninë anëtare të NATO-s, duke vrarë dy persona.

Më pas u vendos mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Polonisë, e cila sapo përfundoi.

Aleatët reaguan menjëherë duke u shprehur se po kryejnë verifikime dhe se solidarizohen me Poloninë.

Raketat ruse goditën një zonë ku po thahej gruri në Przewodów, një fshat polak pranë kufirit me Ukrainën.

Në mesditë, Rusia goditi objektet energjetike të Ukrainës me breshërinë e saj më të madhe të raketave deri më tani.

Ajo goditi objektiva nga lindja në perëndim dhe duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.

Moldavia fqinje u prek gjithashtu. Ajo raportoi ndërprerje masive të energjisë pasi sulmet rrëzuan një linjë kryesore të energjisë që furnizon vendin e vogël.

Përfundon mbledhja e Këshillit, Polonia vendos të rrisë gatishmërinë ushtarake

Sulm masiv me raketa në të gjithë Ukrainën, ndërsa liderët botërorë takohen në samitin e G20-ës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore