Kosova

Asambleja Parlamentare e NATO-s vendos sot nëse do t’ia avancojë statusin Kosovës


Ilustrim

Asambleja Parlamentare e NATO-s, krahu legjislativ që mbledh rreth vetes delegatë nga të gjitha vendet anëtare të aleancës, pritet të vendos të hënën (sot, 27 maj) nëse do t’ia avancojë statusin Kosovës nga vëzhgues në anëtare të asocuar, në kuadër të seasionit pranveror që mbahet në Sofje të Bullgarisë.

Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, institucion që përbëhet prej 281 delegatëve nga 32 vendet anëtare të aleancës, në mars të këtij viti vendosi në favor të avancimit të statusit të Parlamentit të Kosovës në nivelin e anëtarit të asociuar nga statusi i mëparshëm i anëtarit vëzhgues.

Anëtarët e asociuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s mund të marrin pjesë pothuajse në të gjitha aktivitetet, seminaret dhe seancat plenare. Ata mund të paraqesin rezoluta dhe propozime për ndryshime në rezoluta. Por, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e asamblesë e as nuk kontribuojnë në buxhetin e kësaj asambleje.

Asambleja Parlamentare e NATO-s, në të cilën Kosova pritet të jetë anëtare e asociuar, nuk është organ zyrtar i aleancës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), por shërben si një urë lidhëse mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare. Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë vende, përfshirë Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën.

Sa i përket Serbisë, delegacioni serb në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, përmes një letre të nënshkruar nga kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Bërnabiç, kërkoi nga përfaqësuesit e shteteve anëtare që të mos e miratojnë rekomandimin e Komisionit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që Parlamentit të Kosovës t’i jepet statusi i anëtarit të asocuar.

Ndryshe, institucionet e Kosovës duan t’iu bashkohen strukturave të aleancës ushtarake, duke filluar nga programi Partneriteti për Paqe (PfP). Megjithatë, vendimet në aleancën më të suksesshme ushtarake që ka njohur bota, përfshirë edhe PfP-në që vlerësohet të jetë paradhomë e NATO-s, merren me konsensus nga Këshilli i Atlantikut – trupi vendimmarrës i organizatës.

Duke qenë se brenda NATO-s janë katër shtete mosnjohëse – Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia – atëherë rruga e vendit të vogël drejt përmbushjes së këtij synimi madhor vlerësohet tejet e vështirë. Megjithatë, avancimi i statusit së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s do të jetë sukses në vete, në 25-vjetorin e ndërhyrjes humanitare të NATO-s në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore