Shqipëria

Qeveria britanike e bindur: Berisha i përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion – synohen politikanë të tjerë të lidhur me krimin


Një operacion sekret për të ndaluar bosët shqiptarë të krimit që veprojnë në Britaninë e Madhe po tenton të ekspozojë politikanët e korruptuar në Shqipëri.

Kështu shkruan “The Times”, e cila thotë se, projekti i koduar Crime State Nexus (CSN) publikua nga Zyra e Jashtme dhe e Brendshme britanike për të synuar politikanët e Ballkanit që kanë lidhje me krimin e organizuar.

Qëllimi i projektit është të dobësojë kërcënimin e paraqitur nga grupet e krimit të organizuar (OCG) dhe të mbrojë interesat e Britanisë në rajon.

Një dokument ligjor i Home Office (Zyra e Brendshme) i përshkruan grupet kriminale shqiptare si një “kërcënim akut” për Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas dokumentit, këto grupe janë lojtarë të rëndësishëm në tregun e kokainës në Mbretërinë e Bashkuar dhe “shumë të përhapur në krimin e rëndë dhe të organizuar” në Britani.

Projekti sekret është zbuluar në dokumentet e gjykatës nga një betejë ligjore mbi vendimin e Qeverisë britanike për të shpallur non grata ish-kryeministrin, Sali Berisha.

Duke mbrojtur vendimin e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për të shpallur Berishën non grata, Lisa Giovannetti KC, që përfaqëson Zyrën e Brendshme në këtë çështje në Komisionin Special të Apelit të Emigracionit, tha se “Sekretari i Shtetit kishte të drejtë të arrinte mendimin se aplikanti ka qenë i përfshirë në krim të rëndë të organizuar dhe korrupsion”.

Jo vetëm kaq, por se ai “ka përdorur lidhjet e tij me grupet e krimit të organizuar dhe ata të përfshirë në kriminalitet për përfitimin e tij”.

“Krimi i organizuar në Ballkanin Perëndimor, dhe në veçanti në Shqipëri, ka pasur dhe vazhdon të ketë një ndikim negativ në MB. Vlerësimi taktik i Agjencisë Kombëtare të Krimit shpjegon se kapja nga shteti e institucioneve shqiptare minon aftësinë për të luftuar krimin e rëndë të organizuar”, thotë Lisa Giovannetti.

Më tej, dokumenti shpjegon se, lidhjet midis politikës dhe krimit në Ballkanin Perëndimor krijojnë një “mjedis lejues në të cilin kriminelët dhe OCG-të mund të veprojnë dhe të përfitojnë nga mbrojtja politike e politikanëve të korruptuar nga aktivitetet e zbatimit të ligjit”.

Kjo mbrojtje politike u ofron grupeve kriminale rrugë shtesë për të pastruar paratë dhe u mundëson atyre të përdorin Shqipërinë si një “strehë të sigurt nga e cila mund të operojnë”.

Në këmbim, OCG-të do të ndihmojnë një politikan gjatë zgjedhjeve duke blerë vota dhe duke frikësuar votuesit.

Projekti synon të prishë këto lidhje duke koordinuar veprimet e MB-së kundër personave të ekspozuar politikisht (PEP) në të gjitha anët e politikës shqiptare.

Sanksionet mund të përfshijnë një sërë levash diplomatike.

Kjo mund të sjellë ekspozimin e politikanëve të korruptuar në mënyrë që të zvogëlohet besueshmëria e tyre midis publikut dhe elitës politike shqiptare, gjë që do të “demonstrojë pasojat ndërkombëtare dhe të brendshme të tolerimit të korrupsionit brenda partive politike”.

“Duke rritur kostot politike të përfshirjes në korrupsion, objektivi është të dekurajohen politikanët shqiptarë nga ofrimi i mbrojtjes politike për personat e krimit. Mbrojtja e reduktuar politike duhet t’i bëjë OCG-të më të cenueshme ndaj veprimtarisë së zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe të prishë modelin e tyre të biznesit”.

Qëllimet e tjera janë të forcojë demokracinë në Ballkanin Perëndimor, të zvogëlojë “perceptimin se kriminelët mund të veprojnë pa u ndëshkuar” dhe të forcojë reputacionin dhe besueshmërinë e Mbretërisë së Bashkuar si një partner në trajtimin e korrupsionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore