Kosova

AAK tregon 5 temat që duhet të trajtohen me urgjencë më 2024


Besnik Tahiri

Sipas Shefit të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, në vitin 2024 me urgjencë duhet që të trajtohen pesë (5) tema.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri tha se viti që lamë pas mos të na i marrë me vete temat që kërkojnë trajtim urgjent, pasi që, siç vlerëson ai, në të kundërtën, “kjo qeveri (e drejtuar nga Albin Kurti0 po mbetet institucioni ku mund të gjesh të gërshetuara të gjithë koleksionin e gënjeshtrave”.

“Nuk duhet lejuar që viti 2024 të jetë vazhdimësi e një qeverisjeje të dështuar, me skandale të panumërta dhe pa vizion për zhvillim”, shkroi ai.

Gatishmëri e vullnet, në prizmin e Tahirit, “duhet të kemi në këto çështje nisur nga arsimi.

“Situata e rënduar në arsim që u reflektua me rezultatin e testit PISA, i cili ishte më i ulëti që Republika e Kosovës ndonjëherë e ka marrë, duhet të trajtohet me prioritet të lartë. Si grup parlamentar do të adresojmë tri çështje”, njoftoi ai.

Si temë të parë, kreu i grupit parlamentar të AAK-së tha se duhet “të ndalet synimi për të ngulfatur përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit”.

“Përmirësimi i kushteve infrastrukturore të arsimit të lartë dhe; Rritja e mbështetjes për hulumtime shkencore për Universitetet publike; Rritja e Pagave në Administratën e Shtetit”, renditi ai çështjet e tjera.

Ai shtoi se për tri vite rresht, kjo qeveri katër herë e ka pasur Ligjin e Pagave në agjendën legjislative.

“Edhe atëherë kur e kanë miratuar këtë ligj, një numër të caktuar të kategorive ka zvogëluar pagën, te një numër i madh e ka rritur 10-20 euro. Grupi parlamentar i AAK-së do të iniciojë rritjen e pagave përmes koeficientit në Ligjin e Pagave dhe ngritjen vlerës së koeficientit përmes Ligjit për Buxhet”.

Si hap tjetër që duhet të trajtohet me urgjencë, sipas Tahirit, është ulja e çmimit të energjisë elektrike.

“Të gjitha çmimet kanë shënuar rritje, përveç pagave. E, rritje e papërballueshme e çmimit për qytetarët u shtua edhe ajo e rrymës. Grupi Parlamentar i AAK-së do të nis iniciativë në Kuvendin e Kosovës për uljen e çmimit të energjisë elektrike”.

Po ashtu, deputeti i AAK-së ka kërkuar që rritja e pagës minimale të bëhet në 450 – 200 euro më shumë seç ka vendosur qeveria Kurti.

“Ligji për Pagën Minimale për momentin është në Gjykatën Kushtetuese. Si grup parlamentar presim që kërkesa jonë të miratohet dhe menjëherë të nis amandamentimi i ligjit të ri”.

Si hap të fundit, Tahiri ka cekur mbështetjen për sektorin privat.

“Për dy vite mbi një miliard euro të cilat kanë qenë të dedikuara të investohen në projekte kapitale, nuk janë shpenzuar në Kosovë. Si rezultat, kemi shkolla më pak, çerdhe më pak, rrugë më pak, investime më pak dhe punësim më pak”, shtoi.

Ai bëri me dije se grupi parlamentar që ai udhëheqë do të insistojë në interpelanca të rregullta se pse nuk po ndodhin shpenzimet.

“Nëse vazhdon bllokimi i investimeve kapitale, po kontribuojmë në ikjen e qytetarëve nga vendi”, theksoi ai, derisa shtoi se tashmë, duke iu referuar liberalizimit të vizave, “rruga u është hapur!”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore