Lajme

15 vjet nga protesta e 10 shkurtit


Protesta e 10 shkurtit.

Dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, derisa ishin duke protestuar kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit 15 vite më parë, u vranë më 10 shkurt nga policia rumune e UNMIK-ut.

Ndërsa, mijëra protestues ishin duke kundërshtuar dokumentin e Ahtisaarit, protesta eskaloi në momentin që janë hequr rrethojat e vendosura në mes të sheshit.

Policia rumune e UNMIK-ut ishte ajo që reagoi në mënyrë të dhunshme duke përdorur edhe armë vdekjeprurëse.

Në këtë protestë kishte edhe shumë të plagosur, e po ashtu ishte përdorur edhe lotsjellësi.

Protesta e 10 shkurtit.

Erërat e lotsjellësit nuk u hoqën pesë ditë në sheshet e Prishtinës.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka kërkuar drejtësi për viktimat e 10 shkurtit, veçanërisht që Arben Xheladini dhe Mon Balaj të pranohen si viktima politike, të rehabilitohen dhe ta fitojnë statusin e merituar, ndërsa familjet e tyre të fitojnë të drejtën që e gëzojnë familjet e viktimave civile të luftës.

KMDLNJ ka reaguar edhe për të plagosurit e kësaj proteste, duke thënë se “duhet të kompensohen moralisht dhe materialisht, në përputhje me ligjin”.

Me rastin e shënimit të kësaj dite, Lëvizja Vetëvendosje do të organizojë një sërë aktivitetesh, si homazhe te varret e dëshmorëve Mon Balaj e Arben Xheladini, nderime te pllaka përkujtimore në sheshin “Nëna Terezë”, si dhe do të shfaqet një film dokumentar në Teatrin Kombëtar, si dhe në qendrat e Vetëvendosjes

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore