Shqipëria

Artan Gaçi pyetet rreth 4 orë në SPAK


Biznesmeni Artan Gaçi, njëherësh dhe bashkëshort i ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka është paraqitur sërish sot në Prokurorinë e Posaçme, SPAK.

Mësohet se marrja e tij në pyetje ka nisur prej orës 09:00.

Një muaj një parë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sekuestroi edhe pjesën e mbetur të pronës së Artan Gaçit në Bashkinë Himarë, e cila ishte vlerësuar si një investim strategjik, por që rezultoi të ishte e mbivendosur në pronë shtetërore.

Sipas një njoftimi zyrtar nga SPAK, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal Nr. 189, të vitit 2023, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25, të Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2, i Kodit Penal, dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin Nr. 176, datë 28.03.2024, ka vendosur:

-Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me nr. 176 regjistri themeltar, datë regjistrimi 19.03.2024, me palët dhe objektin e përcaktuar në pjesën hyrëse të vendimit;

-Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme të identifikuar si “Pasuria numër 36/341, sipas AMTP nr. 9715 datë 07.02.1994, aktualisht e identifikuar në vërtetimet hipotekorë me nr. 112, datë 16.04.2020, dhe nr. 1116, datë 24.12.2013, e cila është konturuar nga Bashkia Himarë në zonën me nr. Pasurie 36/35 me sipërfaqe 5 mijë e 80 metra katrorë.

Sipas njoftimit, hetuesit  e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit, kanë marrë masat për ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë së Posaçme datë  28.03.2024, nxjerrë mbi bazën e vendimit penal të mësipërm të marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Më 25 tetor, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka vendosur që të sekuestrojë pasurinë truall prej 5 mijë e 512 metër katror të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres Olta Xhaçka.

Kjo vjen në kuadër të hetimit të nisur mbi bazën e kallëzimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i cili aktualisht ndodhet në burg, i akuzuar për shit-blerje votash.

Beleri, në padinë e tij, pretendon se prona është marrë përmes AMTP-ve të falsifikuara.

Me qëllim që dokumentet të mos tjetërsohen, SPAK ka bërë sekuestrimin e tyre.

Trualli i sekuestruar është pjesë e zonës, ku Gaçi po ndërton vila luksoze si investitor strategjik.

Gaçi më 6 tetor u  paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Gaçi ishte thirrur pas kallëzimit të kryer nga Fredi Beleri ndaj kryetarit në detyrë të bashkisë Himarë, Jorgo Goro.

Beleri e ka akuzuar Goron se i ka dhënë tokë në Himarë, Olta Xhaçkës dhe bashkëshortit të saj.

Tashmë Goro gjendet po ashtu në burg, i arrestuar me urdhër të SPAK, pasi është pjesë e hetimeve për tjetërsimin e një prone shtetërore – e lidhur pikërisht me investimin e Gaçit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore