Lajme

Zvarritja e dialogut e dëmton Kosovën


Ilustrim

Nëse dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë do të zvarritet ose do “ndërprehet” eventualisht, shteti që do ta pësoj më së rëndi këtë proces do të jetë Kosova.

Kjo pasi që “shteti i Kosovës është i kontestuar ndëkombtarisht”, vlerëson Emir Abrashi, hulumtues në organizatën jo qeveritare Demokraci Plus, për Albanian Post.

Ai konsideron se njohjet e deritanishme nuk janë të mjaftueshme për Kosovën.

“Kosova, synon rritjen e numrit të njohjeve, por edhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Megjithëse kemi një numër të konsiderueshëm njohjesh, ato nuk janë të mjaftueshme për të siguruar një ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), e në anën tjetër, integrimi në Bashkimin Evropian (BE) është e pamundur pa njohjen nga 5-shja e BE-së”, ka thënë Abrashi.

Sipas Abrashit, përpos mos-anëtarësimit në BE, nga zvarritja e dialogut humb më së paku shteti i Serbisë.

“Serbia, nuk e ka shtetësinë e kontestuar ndërkombëtarisht, është anëtare e organizatave ndërkombëtare, qytetarët e saj lëvizin lirshëm në zonën Shengen, si dhe nuk ka ndonjë problem në rrafshin e zhvillimit të ekonomisë dhe thithjen e investimeve të huaja – të gjitha këto problematike të cilat Kosova i ka aktualisht”, ka detajizuar ai.

Abrashi, pret që qeveria e Kosovës t’i jap epilog sa më parë procesit të dialogut duke shfrytëzuar të gjitha kanalet diplomatike për të siguruar mbështetje më të madhe nga aleatët e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës duhet t’i vazhdojë konsultat me partitë e opozitës, për të gjetur një konsensus të brendshëm në raport me qëndrimet e Kosovës karshi Serbisë. Në të njëjtën kohë, sa më parë duhet të nisë hartimi i një strategjie qeveritare për dialogun me Serbinë, e cila duhet të hartohet në bashkëpunim me opozitën, shoqërinë civile dhe me ekspertë të fushave të ndryshme të cilat preken nga procesi i dialogut”.

Mirëpo sipas Abrashit mos dekretimi i Ambasadorëve kosovarë në qendrat kryesore të diplomacisë botërore e bënë të pamundur përdorimin e kanaleve diplomatike, prandaj ai pret që qeveria të trajtoi me prioritet këtë çështje.

“Qasja e qeverisë aktuale ndaj politikës së jashtme lë për të dëshiruar, prandaj pres që kjo qasje të ndryshohet dhe politika e jashtme të trajtohet me prioritet në mënyrë që të sigurojmë mbështetjen e nevojshme për përmbylljen e problemeve të cilat na ndikojnë drejtpërdrejt edhe në politikat tona të brendshme”.

Edhe për hulumtuesen në Institutin Demokratik të Kosovës , Jeta Krasniqi, me zvarritjen e procesit të dialogut përfiton Serbia, prandaj ajo pret që Kosova, ta mbyll këtë kapitull me Serbinë por siç thotë ajo dialogu nuk duhet mbyllet me çdo kosto për Kosovën.

Krasniqi, mendon se pavarësisht rrjedhave të dialogut Kosova duhet të ndërtoi një strategji të qartë në rrugëtimin e saj drejt konsolidimit të shtetit brenda dhe jashtë vendit.

“Është e nevojshme që edhe pas 10 vitesh dialog, të ndërtohet një qasje serioze dhe pro aktive e Kosovës, në politikën e jashtme ku përfshihet dhe çështja e dialogut, duke mos e evituar si temë, por duke e trajtuar me seriozitetin që kërkon duke vlerësuar skenarët e ndryshëm potencial dhe hapat e Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Krasniqi për Albanian Post.

Pas bisedimeve teknike në kuadër të negociatave Kosovë – Serbi, ku u arritën të nënshkruhen shtatë marrëveshje, me 18 tetor të vitit 2012, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë përmes së cilës përkrahte fillimin e dialogut politik duke e mandatuar Qeverinë e Kosovës për të udhëhequr me këtë proces.

Një ditë më vonë, Hashim Thaçi në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës u takua në Bruksel me Kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, në kuadër të dialogut tashmë politikë i lehtësuar nga BE.

Pas 10 raundesh të takimeve në mes kryeministrave, më 19 prill të vitit 2013, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Catherine Ashton kishte deklaruar se të dy kryeministrat ishin dakorduar mbi tekstin e marrëveshjes së parë mbi parimet e përgjithshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e njohur ndryshe edhe si “marrëveshja e Brukselit”.

Me 25 gusht të vitit 2015, një infuzion i ri u tentua t’i jepej dialogut Kosovë – Serbi. Kështu Kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Frederica Mogherini, pas një sërë takimesh e nënshkruan paketën e Marrëveshjes së Brukselit.

Marrëveshja e arritur, në mesin e pikave të shumta përfshinte edhe marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila u kundërshtua ashpër nga opozita në Kosovë për shkak të kompetencave të cilat do t’i kishte ky Asociacion.

Dialogu pësoi goditje të madhe veçanërisht me angazhimin e diplomacisë serbe kundër njohjes së shtetit të Kosovës apo anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare si UNESCO dhe INTERPOL.

Po ashtu, riaktivizimi i arresteve ndërkombëtare nga ana e Serbisë ndaj zyrtarëve të lartë të Kosovës, tensionoi raportet ndërmjet dy palëve, duke çuar në pezullimin e dialogut nga ana e Kosovës.

Takimet në Bruksel u rikthyen me 3 korrik të vitit 2017, kur Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, u takuan për tu dakorduar që dialogu të hyjë në një fazë të re, ku do të diskutoheshin çështje më me peshë dhe do të shkohej drejt përmbylljes së këtij procesi.

Mirëpo, vendosja e taksës 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nga ana e Qeverisë së Kosovës e udhëhequr nga Kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, e kushtëzoi procesin e dialogut.

Një hap i tillë i Kosovës thelloi edhe më tepër ngërçin e bisedimeve mes dy qeverive.

Dialogu Kosovë – Serbi rifilloi më 16 korrik të vitit 2020, me takimin e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, ku tema kryesore ishin personat e pagjetur dhe bashkëpunimi ekonomik.

Ndërsa më 4 shtator të vitit 2020, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në prani të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump,  kishin nënshkruar Marrëveshjen e Uashingtonit e cila parashihte normalizim ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit të vitit 2021 në Kosovë, lideri i partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, kishte paralajmëruar se dialogu do të jetë prioritet i katërt në qeverisjen e tij.

Mirëpo, raundi i parë i dialogut Kosovë – Serbi, në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, kishte filluar me 15 qershor të këtij viti.

Pas përfundimit të takimit, Kryeministri Kurti kishte deklaruar se ai gjatë takimit kishte propozuar katër pika, ku pika e tij e parë nuk kishte marrë përgjigje, ndërsa tri të tjerat ishin refuzuar.

Takimi i ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, ndërmjet Kurtit dhe Vuçiç pritet të mbahet gjatë muajit shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore