Kosova

“Zgjedhjet në Kosovë duhet të shtyhen”, Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet


Derek Chollet

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka deklaruar se zgjedhjet për pushtetin komunal në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe duhet të shtyhen.

Madje, kjo kërkesë e tij do jetë edhe temë e takimit që do të diskutojë më udhëheqësit e Kosovës gjatë vizitës së tij në Prishtinë javën që vjen.

Në një intervistë me shefin e shërbimit shqiptar të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho, Chollet ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara mendojnë se “nuk është koha e duhur për zgjedhje”

Kjo për arsye se “duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit”.

“Kemi parë dhunë në 24 orët e fundit. Është kohë e tensionuar dhe duam të sigurohemi se ka kushte për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta”, deklaroi ai.

“Kosova është demokraci shumetnike, sikurse Shtetet e Bashkuara. Ne jemi krenar me punën që Shtetet e Bashkuara kanë bërë në këto 20 e ca vjet për ngritjen e demokracisë në Kosovë dhe duam të punojmë për ta mbështetur dhe ruajtur atë. Së këndejmi mendojmë se këto zgjedhje duhet të shtyhen derisa koha të jetë e duhur dhe kur mund të mbahen pa nxitur më shumë joqëndrueshmëri dhe dhunë”.

Chollet deklaron se po zhvillohen bisedime të vazhdueshme me udhëheqësit në Prishtinë dhe ambasadorin amerikan Jeff Hovenier është shumë i përfshirë.

“Unë do të jem atje javën e ardhshme dhe kjo do të jetë ndër temat kryesore në bisedimet me presidenten dhe kryeministrit derisa presim të punojmë për një rrugë të përbashkët përpara”, tha zoti Chollet.

Zgjedhjet, nëse asgjë nuk ndryshon, duhet të mbahen me 18 dhe 25 dhjetor në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Zgjedhjet u shpallën nga presidentja Vjosa Osmani, pasi Lista Serbe vendosi t’i djegë mandatet meqë kërkonin nga qeveria e Kosovës të suspendonin vendimin për targat ilegale serbe.

Vendimi u suspendua, por serbët nuk u kthyen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore