Lajme

Zelensky: Rusia po përgatitet për një goditje vendimtare energjetike


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Rusia po përgatitet për një goditje vendimtare energjetike ndaj të gjithë evropianëve këtë dimër.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë vendase, duke cituar video-mesazhin e udhëheqësit ukrainas.

“Këtë dimër, Rusia po përgatitet për një goditje vendimtare energjetike ndaj të gjithë evropianëve”, u shpreh fillimisht ai.

Sipas Zelensky-t, përgjigjet kryesore për këtë çështje duhet të jenë dy.

“E para është uniteti ynë në mbrojtje kundër shtetit terrorist dhe e dyta është rritja e presionit tonë ndaj Rusisë. Ky është forcimi i të gjitha niveleve të sanksioneve dhe kufizimi i të ardhurave të Rusisë nga nafta dhe gazi”, vijoi presidenti ukrainas.

Zelensky kujtoi se këto ditë “Rusia po përpiqet të rrisë edhe më shumë presionin energjetik mbi Evropën”, pasi pompimi i gazit përmes “Nord Stream” është ndalur plotësisht.

“Pse po e bëjnë këtë? Rusia dëshiron të shkatërrojë jetën normale të çdo evropiani – në të gjitha shtetet e kontinentit tonë. Ajo dëshiron të dobësojë dhe frikësojë të gjithë Evropën, çdo shtet. Aty ku Rusia nuk mund ta bëjë këtë me fuqinë e armëve konvencionale, e bën këtë me fuqinë e armëve energjetike”, theksoi kreu i shtetit.

Ai shtoi se për t’u mbrojtur nga kjo, të gjithë në Evropë kanë nevojë për “edhe më shumë unitet, edhe më shumë koordinim, edhe më shumë ndihmë për njëri-tjetrin”.

Në mbrëmjen e 2 shtatorit, Gazprom rus njoftoi një ndërprerje të plotë të pompimit të gazit përmes gazsjellësit Nord Stream, për shkak të një mosfunksionimi të zbuluar në stacionin e vetëm të kompresorit të Portovës që vazhdon të funksionojë.

Komisioni Evropian e quajti njoftimin e Gazprom “një tjetër konfirmim i pabesueshmërisë së tij si furnizues” dhe “provë e cinizmit të Rusisë”.

Kompania gjermane Siemens Energy deklaroi se rrjedhja e naftës, të cilës i referohet koncerni rus Gazprom, nuk mund të jetë një arsye teknike për ndërprerjen e funksionimit të gazsjellësit Nord Stream.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore