Shqipëria

Zaev në ditën e fundit si kryeministër: Kur BE dështon, ne evropianizojmë rajonin


Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zorean Zaev, të martën e 21 dhjetorit, ka thënë se “kur Bashkimi Evropian (BE) dështon, ne kemi detyrë të marrim nisma që evropianizojnë rajonin”.

Gjatë konferencës për shtyp në kuadër të “Open Balkan”, ai ka bërë thirrje “të mos lejojmë mbizotërimin e euroskepticizmit”, në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu, Zaev u është drejtuar të gjithë vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor që “të lidhen me njëri-tjetrin dhe të zhvillojnë ekonominë përmes Open Balkan”.

“Të gjitha vendet e rajonit kanë një ftesë të hapur për t’u bërë pjesë e kësaj nisme. Ndaj i inkurajojmë vendet për t’u lidhur me njëri-tjetrin, për t’u zhvilluar ekonomikisht”.

Ky samit i tretë ka shënjuar edhe angazhimin e fundit politik të Zorean Zaev, nën petkun e kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Zaev u ka bërë thirrje krerëve pjesëmarrësve të kësaj nisme që “ta ruajnë dhe zhvillojnë” këtë iniciativë, duke lënë pas të shkuarën.

I pari samit u mbajt në Shkup, i dyti në Beograd.

Edhe për “Open Balkan”, ashtu si për mbledhjen e qeverisë së Kosovës me atë të Shqipërisë, Elbasani ishte “nikoqir” i darkës informale mes përfaqësuesve të tre qeverive, anëtare të kësaj nisme.

Foto nga darka që u mbajt në Elbasan

Ka qenë numri një i qeverisë shqiptare, Edi Rama, që çeli siparin e bisedimeve në mbledhjen e kësaj të marte të 21 dhjetorit.

Mandej, mbledhja u pasua me fjalimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, dhe atë të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

I pari i qeverisë së Maqedonisë së Veriut gjatë mbledhjes së tretë në kuadër të nismës “Open Balkan” tha se “vendet e rajonit nuk do të mbahen peng nga dështimet e Bashkimit Evropian (BE)”.

Sipas Zaev-it, “ne treguam se vendet tona nuk do të mbaheshin peng nga dështimet e BE-së”, kjo sa i përket “procesit të integrimit”.

“Ky proces mund të ndalohet në Bruksel, por evropianizimi jo”, tha ai.

Pas tyre fjalën e mori edhe komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Oliver Varhelyi.

Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandar Vuçiç firmosin marrëveshjet në kuadrin e Open Balkan

“Open Balkan” mori formë në orën 11.30, me ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve në kuadër të nismës për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve ndërmjet tre vendeve.

Po ashtu, u nënshkrua edhe marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të tre vendeve për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe ushqimore për kafshë dhe fitosanitare në Ballkanin Perëndimor.

Ndërmjet qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, u nënshkrua marrëveshja për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik të autorizuar – sigurim dhe siguri (AEOS).

Në këtë marrëveshje me qeverinë shqiptare, u bë pjesëmarrëse edhe ajo e Maqedonisë së Veriut.

Forumi Rajonal për Bujqësi dhe Bashkëpunim Rajonal ishte fokusi i radhës i mbledhjes së tre qeverive nismëtare të “Open Balkan”, e cila u mbajt mesditën e kësaj të marte.

Marrëveshjet e Open Balkan

Më 29 korrik, tre liderët – asokohe me kryeministrin Zaev – u takuan në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku e cilësuan nismën e tyre si Open Balkan (Ballkani i Hapur).

Ata firmosën disa marrëveshje. Marrëveshja e parë dhe më e rëndësishme është ajo e tregtisë së lirë midis tre vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Marrëveshja e dytë është ajo në kuadër të “agjendës së gjelbër”, e cila synon njëkohësisht njehsimin me agjendën evropiane.

Në të përfshihet mbrojtja dhe shpëtimi nga katastrofat natyrore për Ballkanin Perëndimor.

Memorandumi i përket lirisë së punës në tre vendet.

Për shkak se Serbia dhe Maqedonia e Veriut ende nuk e kanë përshtatur legjislacionin me atë të Shqipërisë, pritet që ky memorandum të kthehet në marrëveshje, pasi dy vendet e tjera ta kenë përafruar ligjin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore