Shqipëria

Vrasja e Ruzhdi Hoxhës, arrestohet vëllai i autorit të dyshuar të krimit


Në vijim të hetimeve për rrëmbimin dhe vrasjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha është arrestuar vëllai i autorit të dyshuar të krimit, të dielën e 7 nëntorit.

Në kuadër të veprimeve hetimore u zbulua se shtetasi Fredi Rrushi, është autor i rrëmbimit dhe i vrasjes së Hoxhës.

Përkatësisht u bë ndalimi i vëllait të tij, shtetasit Pajtim Rrushi 42 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim. Ky i fundit akuzohet për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “ Fshehje ose asgjësim i kufomës”.

Ndërsa Fredi Rrushi është arrestuar më 26 tetor 2021 nga policia e Tiranës, si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për veprën penale të trafikimit të narkotikëve.

Ky shtetas dyshohet dhe si porositësi dhe organizatori i kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Ballenj, më 31 tetor, ku u vunë në pranga shtetasit A. D dhe G. K.

Si dhe u bë vendimi i ndalimit në ambientet e burgimit të shtetasit Fredi Rrushi për veprat penale “Vrasje me paramendim” “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Fshehja e kufomës”.

Nga ekspertiza paraprake ka rezultuar se shtetasi Ruzhdi Hoxha është vrarë me armë zjarri.

Ndërkaq materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Çfarë ka ndodhur deri më tani?

Forcat RENEA pasditen e 6 nëntorit kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë të biznesmenit Ruzhdi Hoxha.

Ai u gjet i pajetë në Qafë-Mollë, Dajt, në një greminë, i mbuluar më zhavorr dhe gurë mesditën e së shtunës.

Pamje nga vendi i ngjarjes pas nxjerrjes nga gremina të trupit të pajetë të Hoxhës.

Trupi i pajetë gjendet në morgun e spitalit për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës.

Pas një pune 10 ditore të bërë nga grupi hetimor u bë e mundur grumbullimi i provave për autorësinë e kësaj ngjarje dhe mesditën e djeshme u gjet një xhup, i cili rezultoi se i përkiste Hoxhës.

Nga informacionet paraprake në trupin e tij janë gjetur shenja dhune.

43-vjeçari, pronar i një biznesi inertesh në Kamëz kishte humbur kontaktet prej 14 ditësh me familjarët.

Djali i Ruzhdi Hoxhës ka denoncuar në polici rastin më 24 tetor, ndërsa një ditë më pas është shoqëruar në polici miku i të humburit, Fredi Rrushi.

Kjo pasi ai ishte personi i fundit me të cilin Hoxha kishte pasur kontakt.

Rrushi ka deklaruar në Komisariat se për herë të fundit e ka takuar në zonën e Mëzezit.

Dy pistat kryesore ku po hetonte policia ishte ajo e rrëmbimit sepse kohët e fundit ai kishte shumë probleme me bizneset dhe ishte i zhytur në borxhe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore