Lajme

Vrasja e presidentit Jovenel Moïse: SHBA akuzon një kolumbian


Autoritetet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ngritur akuza ndaj një ish-oficeri ushtarak kolumbian, lidhur me vrasjen e presidentit të Haitit, Jovenel Moïse, korrikun 2021-shit.

Departamenti i Drejtësisë Amerikane, të martën e 4 janarit, deklaroi se “43-vjeçari Mario Antonio Palacios ka marrë pjesë në një komplot për të rrëmbyer dhe vrarë presidentin haitin”.

Ai u paraqit në një gjykatë në Miami të martën, për të dëgjuar akuzat kundër tij.

Çfarë ndodhi më 7 korrik 2021?

Moïse u qëllua për vdekje nga persona të armatosur, të cilët sulmuan rezidencën e tij në kryeqytetin Haitian, Port-au-Prince.

Ndërsa disa arrestime janë bërë në Haiti në lidhje me vrasjen, Palacios është i dyshuari i parë që po përballet me akuza.

Në deklaratën e Departamentit të Drejtësisë thuhet se një ankesë ishte paraqitur në shtetin e Floridës, duke akuzuar Palacios, së bashku me një grup prej rreth 20 shtetasish të tjerë kolumbianë dhe shtetas të dyfishtë haiti-amerikanë, për “komplot për të kryer vrasje ose rrëmbim”.

Sipas departamentit, grupi supozohej se ishte “fillimisht i fokusuar në kryerjen e një rrëmbimi”, por se “në fund rezultoi në një komplot për të vrarë Moïse”.

“Palacios dhe të tjerët mësynë në rezidencën e presidentit në Haiti, me qëllimin e vetëm për të ekzekutuar presidentin Moïse dhe, në fakt, presidenti u vra”, thuhet në deklaratë.

Palacios u arrestua gjatë një ndalese në Panama, pasi u deportua në Kolumbi nga Xhamajka.

Ai pranoi të udhëtonte në SHBA, të cilat kishin lëshuar një njoftim të kuq të Interpolit, duke kërkuar arrestimin e tij.

I dyshuari gjendet në paraburgim, në SHBA, dhe nëse shpallet fajtor për akuzat, do të përballet me një dënim maksimal me burgim të përjetshëm.

Të dyshuarit e mëparshëm të arrestuar ishin gjithashtu ish-anëtarë të ushtrisë kolumbiane, shumë prej të cilëve thanë se ishin punësuar për të ofruar “shërbime sigurie” në Haiti dhe nuk përmendën për asnjë plan për ta ekzekutuar presidentin.

Hetimi për vrasjen e Moïse-s, i cili ishte 53 vjeç, ka qenë i ngadaltë dhe është penguar nga dorëheqjet e herëpashershme të zyrtarëve kryesorë.

Hetuesit kanë raportuar gjithashtu se kanë marrë kërcënime me vdekje dhe janë frikësuar.

Të shtunën, persona të armatosur u përpoqën të vrisnin kryeministrin hiatin, Ariel Henry, gjatë një ngjarjeje për përvjetorin e pavarësisë së vendit.

Zyra e kryeministrit tha se “banditë dhe terroristë” qëndronin pas atentatit dhe se urdhër-arrestet ishin lëshuar për të dyshuarit.

Rritja e dhunës në Haiti dhe një situatë e rëndë ekonomike në vend – e përkeqësuar nga disa fatkeqësi natyrore vitet e fundit – kanë çuar në një numër në rritje të haitianëve që kërkojnë mundësi në vende të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore