Lajme

Vrasja e dyfishtë në Pejë – Prokuroria kërkon paraburgim për Avni Ademajn


Pejë

I dyshuari Avni Ademaj dyshohet se e privoi nga jeta tani të ndjerin Blerand Kadrijaj.

Sipas kërkesës për caktimin e masës së parabugrimit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se i dyshuari Avni Ademaj dyshohet për vrasjen e tani të ndjerit Blerand Kadrijaj

Në Gjykatën Themelore në Pejë, të premten do të mbahet seanca dëgjimore ndaj të arrestuarit për vrasjen e dyfishtë në Pejë.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, Zëdhënësi i Prokurorisë Themelorë të Pejës, Shkodran Nikçi.

“Po, sot në ora 14:00 do të dal i pandehuri para gjyqtarit të procedurës paraprake lidhur me kërkesën e prokurorisë”, deklaroi Nikçi.

Avni Ademaj, i cili ishte plagosur edhe vet, po dyshohet për incidentin e së mërkurës mbrëma në Pejë ku mbetën të vdekur kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Pejës, Astrit Ademaj dhe ish-kandidati për kryetar të Deçanit Blerand Kadrijaj.

Propozimin për caktimin e masës së paraburgimit e ka bërë prokurorja e rastit, Valbona Disha-Haxhosaj.

Këtë masë e ka arsyetuar shkaku se vepra penale për të cilën dyshohet i dyshuari, hyn në grupin e veprave të rënda penale dhe të njëjtit mund t’i shqiptohet dënim i lartë

Arsye tjetër është se ekziston rrezik real i arratisjes së tij, e cila do të pengonte zhvillimin normal të hetimeve.

Bazuar në hetimet fillestare, thuhet se incidenti kishte ndodhur pas një fjalosje mes vëllait të dyshuarit të tani të ndjerit, Astrit Ademaj me viktimën tjetër, Blerand Kadrijaja.

Ngjarja është zhvilluar në afërsi të shkollës ekonomike ‘Ali Hadri’ në Pejë, ku janë dëgjuar disa të shtëna me armë, pas të cilave policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

Pas raportimit të ngjarjes, Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, zbuloi edhe dy emrat e personave të cilët ndërruan jetë në Spitalin e Pejës.

Bëhet fjalë për Astrit Ademaj, kandidat për Kryetar të Komunës së Pejës nga radhët e PDK-së në zgjedhjet lokale të 17 tetorit dhe i vdekuri i dytë është Blerand Kadrijaj, ish kandidat për Kryetar të Kounës së Deçanit në zgjedhjet e 2017-tës.

Në vendin e ngjarjes përveç Policisë, ka dalë edhe prokurori i shtetit të cilët së bashku “po kryejnë ekzaminimet në vendin e ngjarjes”, duke filluar kështu edhe hetimet e kësaj ngjarje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore