Kosova

Votimi elektronik në Kuvend, Këshilltari i Konjufcës: S’kemi ndonjë datë të caktuar, kemi marrë vetëm zotimin se është caktuar buxheti


Shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli

Shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli, ka bërë të ditur se pas një pune të kabinetit me stafin e Ambasadës së Luksemburgut dhe zotimit të ambasadorit Eric Dietz kanë pranuar konfirmimin për mbështetje nga LuxDev për renovimin dhe vendosjen e pajisjeve të reja për votim elektronik në sallën plenare.

Në një bisedë për Albanian Post, Kërçeli ka thënë se kanë shpresa që kjo punë do të kryhet në periudhën kur deputetët janë në pushim, por që akoma nuk kanë një datë të caktuar se kur do të nisin punimet.

“Po shpresojmë që kjo punë të kryhet kur kanë pushim deputetët nga qershori në shtator, mirëpo s’ka ndonjë datë të caktuar, vetëm e kemi marrë njoftimin që do të ndërrohen pajisjet që kishin problem deputetët”, deklaroi ai për AP.

Teksa ka potencuar se në dokumentet të cilat kanë pranuar për nisjen e punimeve është caktuar vetëm buxheti.

“Na ka ardhur vetëm zotimi që është caktuar buxheti rreth 670 mijë është buxheti, por në letër s’ka data të caktuara se kur do të fillojnë punimet”.

Ndër të tjera, shtoi se ky proces pritet që të përfundoj në afatin kohor më të shpejtë të mundshëm.

“Por ne ju kemi treguar se kjo është shumë urgjente për neve, edhe nga ana e tyre janë zotuar që do ta bëjnë këtë gjë sa më shpejt që është e mundur”.

Pajisjet e vjetra e të prishura të Kuvendit të Kosovës pothuajse tash e 2 vjet e kanë pamundësuar votimin elektronik të deputetëve.

Si rrjedhojë e kësaj administrata e Kuvendit regjistron vetëm rezultatin e përgjithshëm të votimit dhe jo votat e deputetëve veç e veç.

Kjo përveç zvarritjes së seancave me votim me dorë, sipas monitoruesve të punës së Kuvendit ishte thënë se e cenon edhe transparencën dhe llogaridhënien e deputetëve karshi qytetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore