Kosova

“Viktimat e dhunës seksuale meritojnë drejtësi, kërkojmë angazhim urgjent”


Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka kërkuar angazhim nga institucionet e Kosovës për të vendosur drejtësi për viktimat e dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë.

Kjo ambasadë, përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, ka theksuar se të gjitha viktimat e dhunës meritojnë drejtësi, duke shtuar se SHBA-të konsiderojnë se është koha për t’i dyfishuar përpjekjet që të gjithë personat përgjegjës për këto vepra të mbajnë përgjegjësi.

“Të gjitha viktimat meritojnë drejtësi. Urdhërojmë angazhimin e Kosovës për dorëzimin e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale në kohën e luftës. Është koha për të dyfishuar përpjekjet dhe për të mbajtur përgjegjësinë e të gjithë keqbërësve, pavarësisht nga sfondi, etnia, apo lidhjet politike”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

Ditë më parë, Gjykata e Prishtinës dënoi me 10 vjet burg Zoran Vukotiçin për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, i cili është dënimi i parë në Kosovë për krime seksuale gjatë luftës.

Këtë e pati bërë të ditur Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook.

Ndërkohë, pak muaj më parë, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës pati publikuar raportin, “E drejta për të vërtetën-viktimat pa emër”, ku dokumentoheshin historitë e 345 të mbijetuarve.

“E kemi quajtur “Viktimat pa Emër”, për shkak se në mesin e 20 mijë viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, vetëm tri nga këto gra e vajza “kanë emër”, pati thënë Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti.

Rushiti kishte theksuar se kjo është një iniciativë për të nis dëshminë e një të vërtete zyrtare.

“Dy dekada pas luftës, Kosova ende ka vështirësi në adresimin e krimeve të luftës. Në mungesë të një iniciative në nivel nacional, qoftë në institucioneve kosovare por edhe mekanizmave ndërkombëtarë, e kemi parë më se të nevojshme që qendra jonë në bashkëpunim me qendrat tona të fillojmë këtë iniciativë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq menaxherja e projektit, Fatmire Haliti, ka theksuar se në këtë raport janë të dokumentuara historitë e 345 viktimave, ku 45 për qind të tyre janë raste të moshës 18 deri në 28 vjeç, ndërsa 32 për qind nga 29 deri në 39 vjeç, kurse viktimat më të reja janë ato të moshës nëntë vjeçare.

“Rreth 48 për qind të rasteve kanë ndodhur në shtëpitë ku kanë qenë të vendosura viktimat, 22 për qind kanë ndodhur në shtëpitë e viktimave dhe nëntë për qind në ambiente të hapura, në stacione policore e në rrugë”, ka thënë Haliti.

Sipas këtij raporti, të mbijetuarat e deklaruara kanë treguar që 13 prej tyre kanë mbetur shtatzënë si pasojë e dhunimit.

“Prej 13 rasteve, në 11 raste viktimat e kanë abortuar qëllimshëm foshnjën ndërsa vetëm një e ka ofruar përkujdesjen ndaj fëmijës”, ka shtuar Haliti.

Në raportin e publikuar tregohet edhe për numrin e atyre që kanë raportuar rastin në institucionet e drejtësisë.

“Vetëm katër për qind prej tyre kanë deklaruar dhe kërkuar hetim të rastit, përkatësisht e kanë raportuar rastin në institucionet e drejtësisë, ku për tri raste kanë filluar hetimet, për dy raste është ngritur aktakuza ndërsa tetë raste nuk janë në dijeni se çfarë ka ndodhur me rastet e tyre edhe pse janë deklaruar në këto institucione”, u shpreh Haliti.

Në bazë të raportit të publikuar, viktimave të cilat pjesë e dokumentimit të historisë së tyre në këtë raport, deri më tani statusi iu është njohur vetëm 194 personave, 61 raste janë në pritje, ndërsa 28 rasteve u është refuzuar statusi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore