Lajme

“E drejta për të vërtetën-viktimat pa emër”, dokumentohen historitë e 345 viktimave të dhunës seksuale


Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka publikuar raportin, “E drejta për të vërtetën-viktimat pa emër”, ku dokumentohen historitë e 345 të mbijetuarve.

“E kemi quajtur “Viktimat pa Emër”, për shkak se në mesin e 20 mijë viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, vetëm tri nga këto gra e vajza “kanë emër”, është shprehur Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti.

Rushiti ka theksuar se kjo është një iniciativë për të nis dëshminë e një të vërtete zyrtare.

“Dy dekada pas luftës, Kosova ende ka vështirësi në adresimin e krimeve të luftës. Në mungesë të një iniciative në nivel nacional, qoftë në institucioneve kosovare por edhe mekanizmave ndërkombëtarë, e kemi parë më se të nevojshme që qendra jonë në bashkëpunim me qendrat tona të fillojmë këtë iniciativë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq menaxherja e projektit, Fatmire Haliti, ka theksuar se në këtë raport janë të dokumentuara historitë e 345 viktimave, ku 45 për qind të tyre janë raste të moshës 18 deri në 28 vjeç, ndërsa 32 për qind nga 29 deri në 39 vjeç, kurse viktimat më të reja janë ato të moshës nëntë vjeçare.

“Rreth 48 për qind të rasteve kanë ndodhur në shtëpitë ku kanë qenë të vendosura viktimat, 22 për qind kanë ndodhur në shtëpitë e viktimave dhe nëntë për qind në ambiente të hapura, në stacione policore e në rrugë”, ka thënë Haliti.

Tutje ajo ka treguar se 57 për qind e këtyre rasteve janë dhunime individuale ndërsa 42 për qind dhunime në grup. Kurse në 75 për qind të ngjarjes së dokumentuar ka pasur dëshmitarë të dhunimit.

Sipas këtij raporti, të mbijetuarat e deklaruara kanë treguar që 13 prej tyre kanë mbetur shtatzënë si pasojë e dhunimit.

“Prej 13 rasteve, në 11 raste viktimat e kanë abortuar qëllimshëm foshnjën ndërsa vetëm një e ka ofruar përkujdesjen ndaj fëmijës”, ka shtuar Haliti.

Në raportin e publikuar tregohet edhe për numrin e atyre që kanë raportuar rastin në institucionet e drejtësisë.

“Vetëm katër për qind prej tyre kanë deklaruar dhe kërkuar hetim të rastit, përkatësisht e kanë raportuar rastin në institucionet e drejtësisë, ku për tri raste kanë filluar hetimet, për dy raste është ngritur aktakuza ndërsa tetë raste nuk janë në dijeni se çfarë ka ndodhur me rastet e tyre edhe pse janë deklaruar në këto institucione”, u shpreh Haliti.

Në këtë mbledhje e pranishme ishte edhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, deputetja Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila ka rrëfyer tmerrin që ka përjetuar si një 16 vjeçare.

“Kjo ditë dhe datë më kthen mbrapa mua, ku para 22 viteve mua më ndodhi tmerri dhe krimi më i madh gjatë gjithë jetës sime, i cili më ka dërrmuar, m’i ka shuar ëndrrat dhe mund të them që ma prishi jetën”, u shpreh ajo.

Krasniqi-Goodman shpreson që sikur se ajo edhe viktimat e tjera duhet të raportojnë për rastet e tyre edhe pse sipas saj “ është shumë e vështirë të raportohet si rast, sidomos kur dihet që nuk është dënuar asnjë kriminel lidhur me këto ngjarje, gjë që duke mos pasur drejtësi, kjo i bënë viktimat të heshtin”.

Një tjetër i pranishëm ishte edhe Ambasadori i Zvicrës në Kosovës, Thomas Kolly, i cili ka thënë se të mbijetuarat po përjetojnë padrejtësi të dyfishtë, meqë ende po përballen me stigmatizim edhe nga familja e ngushtë.

“Statusi i të gjitha të mbijetuarve viktimave nga dhuna seksuale duhet të njihet. Ligji aktual nuk është i kompletuar, prandaj ky ligj duhet të amandamentohet që të gjithë viktimat të kenë mundësi të aplikojnë për atë se çfarë ju takon”, ka thënë Kolly.

Ai tutje shtoi se “përballja me të vërtetën dhe stigmatizimit është shumë e vështirë, por është mënyra e vetme që të arrihet të shërohet plaga. Ky proces i shërimit të plagës duhet të jetë një bazë solide”, ka theksuar ai.

Në bazë të raportit të publikuar, viktimave të cilat pjesë e dokumentimit të historisë së tyre në këtë raport, deri më tani statusi iu është njohur vetëm 194 personave, 61 raste janë në pritje, ndërsa 28 rasteve u është refuzuar statusi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore